Kanë mbërritur këtë të premte materialet zgjedhore në Bashkinë e Matit e cila do t’i nënshtrohet zgjedhjeve të parakohshme këtë të dielë.
Kutitë me materialet e ditës së zgjedhjeve mbërritën në KZAZ 16 nën masa të rrepta sigurie, me një automjeti të forcave të armatosura, shoqëruar nga automjete të policisë së shtetit.
Materialet do të adminstrohen nga komisionerët e Komisionit Zonal të Administrimit Zgjedhor 16 dhe gjatë ditës së shtunë do të shpërndahen në 47 qendrat e votimit që ka Bashkia e Matit.
Bashkia Mat vjen në këto zgjedhje të pjesshme pasi ish Kryebashkiaku Agron Malaj u zgjodh deputet i kuvendit të Shqipërisë në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit.
Në garën e së dielës për kreun e ri të Bashkisë Mat janë tre kandidat. Ekonomisti Altin Bojni nga Partia Socialiste, avokati Eduart Brahilika i pavarur (mbështetet nga opozita) dhe avokatja Suzana Pasha e pavarur (ish kryetare e forumit të gruas socialiste).
Në zgjedhjet e fundit parlamentare në Bashkinë Mat ishin 26,700 qytetarë me të drejtë vote, ndërsa morën pjesë në votim rreth 13,000 qytetar.
Ndërsa në zgjedhjet e fundit lokale të 2023, në Bashkinë Mat kishin të drejtë vote rreth 29,292 qytetar dhe kanë votuar rreth 13,000.
Në të dy zgjedhjet e fundit pjesmarrja në votime në këtë bashki ka qenë në masën e rreth 49%.