Në vitet e fundit, rutina e kujdesit për lëkurën është bërë gjithnjë e më e ndërlikuar. Sipas sondazheve të industrisë së bukurisë, mbi 60% e grave përdorin më shumë se 5 produkte bukurie çdo ditë, duke përfshirë pastrues, toner, serum, krem hidratues, SPF dhe shpesh produkte shtesë për trajtime specifike. Dermatologët thonë se në disa raste kjo rutinë mund të jetë e dobishme, por jo gjithmonë e nevojshme. Lëkura ka një barrierë natyrale që mund të dëmtohet kur përdoren shumë produkte njëkohësisht, sidomos nëse ato përmbajnë përbërës aktivë të fortë si acide eksfoliuese, retinoide apo alkool.
Ekspertët theksojnë se efektiviteti i një rutine nuk varet nga numri i produkteve, por nga cilësia dhe përputhshmëria e tyre me llojin e lëkurës. Një rutinë bazë e thjeshtë – pastrim, hidratim dhe mbrojtje nga dielli, shpesh është e mjaftueshme për shumicën e njerëzve. Megjithatë, industria e skincare dhe ndikimi i rrjeteve sociale kanë shtuar tendencën për rutina më komplekse. “Layering”-u i shumë produkteve është bërë trend, duke krijuar bindjen se më shumë hapa do të thotë rezultate më të mira. Në realitet, kjo nuk është gjithmonë e vërtetë dhe mund të çojë në irritime, skuqje ose bllokim të poreve.
Dermatologët paralajmërojnë gjithashtu për “over-treatment”, një gjendje ku lëkura bëhet e ndjeshme për shkak të përdorimit të tepërt të produkteve aktive. Në këto raste, më pak produkte dhe një rutinë më e thjeshtë shpesh japin rezultate më të mira. Mesazhi kryesor është se kujdesi për lëkurën duhet të jetë i personalizuar. Për disa persona, 5 ose më shumë produkte mund të jenë të përshtatshme, ndërsa për të tjerë një rutinë minimaliste është më efektive. Çelësi është balanca, jo sasia.