Të paktën 455 individë e subjekte u ankuan vitin e kaluar pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Në raport me një vit më parë, numri i ankesave u rrit me 15.4% dhe kanë në objekt një sërë çështjesh.
Konkretisht, sipas raportit të Komsionerit, arsyeja e parë lidhet me cënimin e të drejtave të subjekteve të të dhënave personale (akses/korrigjim dhe fshirje).
Së dyti, përhapja e të dhënave personale pa pëlqimin e subjektit të të dhënave personale.
Së treti, përpunimi i të dhënave në mënyrë jo të drejtë dhe të ligjshme.
Së katërti përhapja të dhënave personale në media dhe portale online. Po kështu një tjetër kategori ankesash përfshin rastet e vendosjes së kamerave në ambiente publike dhe private.
Një ankesë që vijon prej vitesh është ajo lidhur me marketingun e drejtpërdrejtë në lidhje me komunikimet e pakërkuara, nëpërmjet telefonit ose postës elektronike. Një kategori e fundit lidhet me tejkalimin e afatit të mbledhjes së të dhënave personale për një qëllim të caktuar.
Krahas ankesave që i shkuan Komisionerit, ky institucion ka zhvilluar edhe një sërë hetimesh pranë subjekteve të ndryshme për të parë përputhshmërinë e veprimtarisë përpunuese të mbrojtjes së të dhënave.
Gjatë vitit 2024, janë ushtruar hetime administrative në kontrollues publikë e privatë, me qëllim verifikimin e përputhshmërisë së veprimtarisë së tyre përpunuese në raport me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale. Në total, u zhvilluan 77 hetime administrative, prej të cilave 10 mbi bazë ankese dhe 67 me iniciativën e Zyrës së Komisionerit (ex-officio). Sa i përket sferave të veprimtarisë, 44 procese hetimi administrativ u ndërmorën në kontrollues publik e 33 në kontrollues privat.
Po kështu, zyra e Komisionerit ka trajtuar 12 raste kërkesash për transferim ndërkombëtar të të dhënave personale, drejt vendeve që nuk kanë një nivel adekuat të mbrojtjes së të dhënave.
Në çdo rast, kontrolluesit janë udhëzuar për zbatimin e plotë të kuadrit rregullator për të garantuar përpunimin e drejtë dhe të ligjshëm të të dhënave personale të individëve, kur kërkohet kryerja e këtij procesi jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Pas vlerësimit, është dalë me një vendim për lejimin e transferimit ndërkombëtar në sektorin bankar./Monitor