Aktualitet

Ankesat e banorëve para aksidentit të 3 majit, AMP-ja nis hetimet për efektivët!

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) nisi hetimet për veprimet dhe mosveprimet e punonjësve të policisë, pas denoncimeve të bëra nga banorët e lagjes nr.15 në Durrës, në zonën e ish-Kënetës, aty ku i dehur në timon, 57 vjeçari Nikoll Radaçi, përplasi për vdekje dy fëmijë e plagosi një tjetër.

Sipas pretendimeve të qytetarëve, policia nuk ka reaguar në kohë ndaj sinjalizimeve dhe denoncimeve të vazhdueshme për qarkullimin e mjeteve me shpejtësi të lartë në këtë zonë.

Hetimet e AMP-së vijnë pas aksidentit tragjik të 3 majit, ngjarje e rëndë që ka ngritur dyshime mbi reagimin e strukturave policore dhe nëse janë marrë masat e nevojshme për parandalimin e rrezikut, pavarësisht denoncimeve të mëparshme të banorëve.

AMP-ja pritet të verifikojë nëse ka shkelje të detyrës nga ana e efektivëve të policisë dhe nëse janë ndjekur procedurat për trajtimin e ankesave të qytetarëve, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e përgjegjësive ligjore kundrejt personave përgjegjës.

Një ditë më parë, kryepolici Skënder Hita pezulloi nga detyra deri në përfundim të hetimeve, zinxhirin komandues të Policisë Durrës.