Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka komentuar etiketimet negative ndaj protestuesve nga ana e qeverisë.
Duke iu referuar shpalljes non grata të Iballe Hudutit ku kryemistri Rama publikoi një fotografi të saj me ish-presidentin e Iranit, Mahmoud Ahmadinejad, Berisha pretendon se vetë Rama është takuar me liderin iranian.
“Kam qenë kryeministër në pushtet kur shërbimet e huaja më informojnë se Edi Rama ka shkuar në Teheran dhe është takuar me Ahmadinejad. Dhe se Erion Veliaj e ka bërë atë rrugë disa herë. Dhe natyrisht nga hetimet e organeve kompetente doli se të paktën në një rast, Rama kishte shkuar në Internacionalen Socialiste të mbledhur në Iran nga Ahmadinejad. Pra, çfarë do të thotë kjo? Shpall një zonjë non-grata sepse siç e shpjegoi ka marrë një medalje si lexuese e Kuranit në një konferencë fetare”, u shpreh Berisha.
Kreu i PD komentoi edhe sulmet ndaj Dritan Goxhajt, i cili lexoi në protestë kërkesat kryesore ndaj qeverisë.
“Rasti tjetër, është apo nuk ka qenë luftëtar i UÇK. Është i tillë apo i atillë. Arritën në shkallë ekstreme të përbaltin një nga heronjtë më të lavdishëm të luftërave të shqiptarëve për liri dhe dinjitet kombëtar në fund të shekullit të 20, Tahir Sinanin. Nxorën, rrëmuan si hiena të policisë sekrete të dikurshme fatura, dokumente pa asnjë interpretim, për të përbaltur luftën, për të përbaltur UÇK-në, për fajin e vetëm se në këtë protestë midis flamujve del edhe flamuri i UÇK, etj. Pra, njeriu që nga një anë përpiqet t’i luftojë me mjetet e tjera duke stampuar në bluzën e vet flamengot apo duke i vendosur në Facebook-un e tij, dhe i them nuk ke të drejtë morale ta bësh këtë, tregon amoralitet me këtë”, tha Berisha.