Bota

Mediat në Katar: Hamasi i tha “PO” planit amerikan të armëpushimit në Gaza, por me ndryshime të vogla!

Mediat e Katarit raportojnë se Hamasi iu përgjigj pozitivisht propozimit amerikan për një armëpushim në Gaza, por grupi radikal palestinez kërkon disa ndryshime të vogla, të cilat nuk i ka specifikuar.

Plotësisht të gatshëm për të filluar menjëherë një raund negociatash.

Pasi mori përgjigjen nga kundërshtarët, edhe Izraeli u shpreh i hapur për bisedime jodirekte. Një delegacion izraelit do të shkojë në Doha të Katarit. Nisur nga zhvillimet e fundit, Donald Trump paralajmëroi se mund të ketë një marrëveshje për Gazën javën e ardhshme. Presidenti amerikan u citua nga agjencia Bloomberg.

Siç raportohet nga agjencia Associated Press, nxehtësia përvëluese dhe mungesa e ujit në Gaza kanë shkaktuar një “efekt domino”, duke përkeqësuar vështirësitë e dy milion banorëve të saj.

Për ministrin izraelit të Drejtësisë, tani është “koha për të aneksuar Bregun Perëndimor”. Ndërkohë, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu u shpreh:

Hamasi nuk do të ekzistojë më. Nuk do të ketë “Hamastan”. Nuk ka kthim prapa. Ne do t’i lirojmë të gjithë pengjet.

Në një tjetër zhvillim, Irani njoftoi se ka rihapur hapësirën ajrore në të gjithë vendin, për të parën herë që nga 13 qershori kur u sulmua nga Izraeli, çka çoi në luftë 12 ditore mes dy vendeve. Ndërkaq, konflikti në Lindjen e Mesme ka hyrë në ditën e 638-të, që nga sulmi i 7 tetorit 2023 i Hamasit në territorin izraelit, me viktima e të rrëmbyer.