Bota

Përplasja me Trump-in, Meloni-ministrave: Ulni tonet!

Giorgia Meloni iu ka kërkuar ministrave të ulin tonet dhe bojkoti i madh që ishte paralajmëruar për ceremoninë e 4 korrikut në Ambasadën Amerikane ka shumë gjasa të mos ndodhë.

Në Palazzo Chigi mbizotëron ideja se marrëdhëniet transatlantike, shkëmbimet tregtare që i afrohen 100 miliardë eurove dhe interesat e përbashkëta për sigurinë dhe dosjet kryesore gjeopolitike duhet të kenë më shumë peshë se përplasjet personale mes liderëve.

Ekziston edhe shqetësimi nëse Donald Trump mund të ndërmarrë masa hakmarrëse.

Në Palazzo Chigi përgjigjen se askush nuk është në gjendje të parashikojë se çfarë mund të ndodhë.

Disa druhen për pasoja ndaj produkteve italiane, nga vera te vaji i ullirit, por sipas bashkëpunëtorëve të kryeministres, Meloni është e bindur se ka disa vija të kuqe që nuk mund të kalohen dhe këtë ia ka bërë të qartë edhe presidentit amerikan.

Në rrethin e Melonit është vlerësuar edhe reagimi i sekretares së Partisë Demokratike, Elly Schlein. Bashkëpunëtorët thonë se Schlein tregoi pjekuri politike edhe në këtë rast, ashtu siç veproi më herët kur Papa ishte vënë në qendër të sulmeve politike.

Sipas burimeve pranë qeverisë, një nga arsyet që e shtyu Melonin t’i përgjigjej për herë të dytë brenda dy ditëve Trump-it ishte edhe referimi për popullaritetin e saj në sondazhe.

Kryeministrja italiane e konsideron këtë pretendim të pavërtetë dhe ka argumentuar se imazhi i Trump-it në Itali lidhet gjithnjë e më shumë me paqëndrueshmërinë, krizën ekonomike dhe rritjen e çmimeve.