Sport

Milani i Alegrit nis me fytyrë të re, ja taktika e 9 “fals”!

Milan i Masimiliano Alegrit është gati të debutojë me një “fytyrë” të re, duke treguar fleksibilitet dhe aftësi përshtatjeje që e bëjnë skuadrën të duket si një “kameleon”. Pas merkatos së verës, ku nuk u plotësuan të gjitha boshllëqet, trajneri po mendon të përdorë sisteme të ndryshme loje, me fokus te përdorimi i një “9 fals”.

Ardhja e Nkunkut nuk mjafton për të zgjidhur plotësisht mungesën e një qendërsulmuesi klasik, pasi Himenez mbetet i vetmi lojtar me ato karakteristika. Kjo ka shtyrë Alegrin të testojë Leao-n në qendër të sulmit, shpesh të mbështetur nga Nkunku dhe Pulisiç, duke alternuar skemat nga 3-5-2 në 3-4-2-1. Në mbrojtje, para portierit Menjan do të vendosen Tomori, Gabia dhe Pavloviç, me De Uinter si alternativë.

Në krahë, Salemaekers në të djathtë dhe Estupinán në të majtë nuk kanë shumë zëvendësues, gjë që mund të sjellë vështirësi gjatë sezonit. Në mesfushë, Modriç mbetet i pazëvendësueshëm, edhe pse mosha e detyron trajnerin t’i japë pushim herë pas here. Për atë rol janë gati Riçi dhe Jashari. Pranë tyre do të aktivizohen Loftus-Cheek dhe Rabiot, për të sjellë fizik, ritëm dhe hyrje në zonë.

Fofana shihet si një zgjidhje taktike për balancë më të madhe. Në sulm, ideja kryesore është Leao si “fals nëntë”, duke e alternuar me Nkunkun për të mos i dhënë referenca mbrojtjeve kundërshtare. Himenez mbetet alternativë klasike, ndërsa Pulisiç është një kartë që mund të përdoret në role të ndryshme. Alegri ka treguar se di të menaxhojë grupet me shumë mundësi zgjedhjeje. Kështu, Milani hyn në sezon me një projekt që kombinon stabilitetin e veteranëve me eksperimente taktike, me synimin për ta bërë “Djallin” të fluturojë lart.