Raportimet e kësaj jave sugjerojnë se administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, po e shqyrton në heshtje kryetarin konservator të Parlamentit iranian, Mohammad Baqer Qalibaf, si partner të mundshëm për negociata e ndoshta edhe si lider të ardhshëm të Iranit.
Uashingtoni ishte në kërkim të një kanali komunikimi për bisedime që prej vdekjes së udhëheqësit suprem, Ali Khamenei, në ditën e parë të sulmeve ajrore amerikane-izraelite kundër Iranit.
Djali i Khameneit është përmendur si pasardhës, por ai nuk është parë në publik që nga dita e vdekjes së të atit dhe raportohet se ka mbetur gjithashtu i plagosur në sulm.
Në këtë kontekst qarkullojnë edhe spekulime për Qalibafin si figurë që disa në Shtëpinë e Bardhë e shohin si partner të pranueshëm për negociata.
Vetë Qalibafi, 64 vjeç, i ka mohuar kategorikisht këto pretendime, duke shkruar në platformën X se “nuk ka pasur asnjë negociatë me SHBA-të”, ndërsa raportimet i ka cilësuar si “lajme të rreme”, për të manipuluar tregjet financiare dhe ato të naftës.
Pavarësisht nëse ekzistojnë ose jo kontakte të fshehta, shfaqja e tij si figura më e dukshme e nivelit të lartë në një sistem që po përjeton shpërbërje strukturore në vendimmarrje, e ka bërë, për herë të parë gjatë një karriere të mbushur me mundësi të humbura, njeri me peshë reale në skenën politike.
Qalibaf është një politikan konservator dhe ish-komandant ushtarak, i cili për dekada të tëra ka ndërtuar lidhje të forta me udhëheqjen më të lartë të Iranit dhe me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC).
Megjithatë, pas një karriere të shoqëruar nga skandale korrupsioni dhe kandidime të pasuksesshme për presidencën, ai e gjen veten – në mënyrë paradoksale – si figura ndoshta më e fuqishme që ka mbetur në Republikën Islamike.
I lindur në vitin 1961, Qalibaf iu bashkua IRGC-së në moshën 18-vjeçare dhe u ngjit në hierarki gjatë luftës Iran-Irak të viteve 1980-1988, duke u bërë komandant njësie.
Më vonë, shërbeu si komandant i Forcave Ajrore të IRGC-së – para se ato të riemërtoheshin si Forca Hapësinore-Ajrore – një post që iu besua drejtpërdrejt nga udhëheqësi i atëhershëm suprem, Ali Khamenei dhe një shprehje besimi që do të përcaktonte trajektoren e tij politike për tri dekadat në vijim.
Brutalitet dhe korrupsion
Në vitin 1999, Mohammad Baqer Qalibaf ishte ndër komandantët e IRCG-së që nënshkruan një letër paralajmëruese drejtuar presidentit reformist, Mohammad Khatami, duke theksuar se protestat studentore të asaj kohe po kërcënonin sigurinë kombëtare dhe se mund të nxisnin ndërhyrjen e njëanshme të IRGC-së.
Në vitin 2000, Ali Khamenei e emëroi 39-vjeçarin në krye të policisë kombëtare të Iranit.
Mandati i tij si shef policie u karakterizua nga brutaliteti: një regjistrim i rrjedhur më vonë e nxori atë duke u mburrur se kishte urdhëruar përdorimin e armëve të zjarrit kundër studentëve gjatë protestave të vitit 2003, si dhe duke pranuar se kishte rrahur personalisht studentë gjatë protestave në vitin 1999.
Në vitin 2005, Qalibaf u largua nga policia dhe hyri në politikë, duke u renditur i katërti në garën presidenciale të atij viti.
Megjithatë, zgjedhja e populistit Mahmud Ahmadinejad hapi rrugën për postin e kryetarit të bashkisë së Teheranit, të cilin Qalibaf arriti ta siguronte. Ai qëndroi në këtë post deri në vitin 2017, duke shënuar mandatin më të gjatë në historinë e Teheranit.
Gjatë udhëheqjes së tij, u zgjerua rrjeti i metrosë së qytetit dhe u ndërtuan godina të mëdha shumëkatëshe, por, njëkohësisht, kishte edhe akuza për korrupsion.