E ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë stilistja Anila Konomi. Ajo ka folur më shumë mbi trendet e fundit të modës, por duke u ndalur dhe tek ligji që pritet të zbatohet mbi ndalimin e shitjes së mallrave të falsifikuara…
Si vishen meshkujt e ekraneve televizive sot në Shqipëri? Kush vishet më mirë sipas teje?
Sa i përket guximit, më pëlqen gazetari Sokol Balla. Ai përdor kolorite, tani e shoh shumë dhe me këto ‘bomber’ (xhaketa) që janë shumë në modë dhe më pëlqen. Nuk ta bëj për servilizëm, por dhe ti Ronaldo më pëlqen që i përdor tendencat. Ti i përdor në gjëra të holla, pantallonat i mban gati në një stil, por përdor pjesën nga busti e lart. Vë re që meshkujt kanë tendencën për të qenë më ‘In’. Por do të thoja që prapë, po t’i krahasosh me djemtë e rrugës, janë më mirë djemtë e rrugës. Është e çuditshme, por djemtë e rrugës janë më mirë. Kjo tregon që ka vend për t’u përmirësuar.
Ekrani vjen ndonjëherë disi i centralizuar dhe ne shohim shembuj. Por jo, mos u nisni nga shembujt. Një mashkull duhet të jetë autentik, dhe të jetë vetëvetja, nuk duhet të niset nga shembujt. Kështu që unë mendoj që një gazetar, një moderator, duhet të njohë veten dhe të vishet vetë me nuhatjen e tij.