Rajoni

NATO: Amerika vazhdon të luajë rol themelor në KFOR!

Zyrtarët amerikanë e kanë bërë të qartë angazhimin e tyre ndaj Aleancës Veri-Atlantike përfshirë praninë e Shteteve të Bashkuara në Europë e se parandalimi dhe mbrojtja e NATO-s duhet të mbeten të fuqishme. Kjo u theksua nga një zyrtar i NATO-s duke folur për KosovaPress.

Në një përgjigje me shkrim, thuhet po ashtu se si pjesë e kësaj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë bërë të qartë pritshmërinë që aleatët e NATO-s të bëjnë, të investojnë e të prodhojnë më shumë, “në mbështetje të sigurisë sonë të përbashkët”.

NATO po përshtatet vazhdimisht me një mjedis në ndryshim. Kjo është pjesë e asaj që duhet për të qëndruar gati. Angazhimi ynë për stabilitet në të gjithë Ballkanin Perëndimor është i palëkundur. KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244, për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë.

Gjithashtu për lirinë e lëvizjes, në çdo kohë e në mënyrë të paanshme, si dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit, EULEX, në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë që të luajnë një rol themelor brenda KFOR-it, përmes kontributit të tyre të gjatë e që aktualisht arrin në mbi 600 trupa.