Aktori i njohur elbasanas, Eduart Çala u nda nga jeta. Ndër figurat e spikatura të artit skenik e kinematografisë shqiptare, u shua në moshën 74-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të pasur artistike dhe kulturore. Eduart Çala lindi më 19 shtator 1950 në Elbasan ku kreu arsimin fillor e të mesëm në shkollën “Jeronim De Rada”.
Nuk pati mundësinë të studionte për aktrim në Institutin e Lartë të Arteve, por ndoqi studimet e larta në Institutin Pedagogjik “Aleksandër Xhuvani” për Gjuhë-Letërsi. Dashuria për teatrin dhe skenën do të shfaqej që në bankat e shkollës së mesme, kur interpretoi në komedinë “Udha e Zavalinëve”, një pjesë që la gjurmë në jetën e tij artistike.
Në vitin 1971, u bë pjesë e trupës profesioniste të Teatrit “Skampa” në Elbasan dhe gjatë dekadave interpretoi në mbi 50 shfaqje teatrore me role kryesore, dytësore dhe episodike, i dalluar për përkushtimin e profesionalizmin.
Përveç teatrit, Eduart Çala kontribuoi edhe në kinematografinë shqiptare duke u angazhuar në role dytësore dhe episodike në disa filma artistikë. Te “Përtej mureve të gurta” (1979) si kuestor italian.

“Një natë Nëntori” (1979), “Partizani i vogël Velo” (1980) si komisar.

“Pranverë e hidhur” (1985), “Një jetë me shumë” (1986), “Kronikë e atyre viteve” (1986), “Tre veta kapërcejnë malin” (1988) dhe “Ngjyrat e moshës” (1990).

Po ashtu, dha kontribut si regjisor në Teatrin e Kukullave në Elbasan ku vuri në skenë dhjetëra shfaqje për fëmijë. Shpeshherë ka qenë prezantues në koncerte e spektakle, festivale të këngës qytetare e për fëmijë, si dhe në aktivitete rinore të qytetit të Elbasanit e jo vetëm.
Për kontributin e palodhur në artin shqiptar, në vitin 1985, Çala u dekorua me medaljen “Naim Frashëri”. Bashkia e Elbasanit e nderoi me titullin “Mirënjohja e Qytetit”, ndërsa vlerësime të shumta iu akorduan në Festivalet Kombëtare të Teatrove, të fëmijëve e të kukullave.
Eduart Çala ishte pjesë e brezit të artë të aktorëve që dolën nga Elbasani, krahas Demir Hyskjas, Shpëtim Shemilit, Astrit Çermës, Spiro Dunit, Ermira Bahitit (Gjata), Tefta Hazirajt dhe Veronika Papës.