Aktualitet

“Larg duart nga Kakomeja”, banorë të Nivicës e Shën Vasilit shembin rrethimin!

Mes kalvarit shumëvjeçar të gjyqeve për njohjen e pronave në Gjirin e Kakomesë, dhjetëra banorë të Nivicës dhe Shën Vasilit shembën rrethimin duke kërkuar akses në pronat e tyre.

Dy ditë para protestës së paralajmëruar, kompania që e ka marrë me qira këtë tokë hoqi portën, ndërsa qytetarët shembën murin e përmbysën objekte të lëvizshme brenda rrethimit.

Protestuesit mbanin pankarta me mbishkrime: “Larg duart nga Kakomeja” dhe “Deti për të gjithë”.

Ata kërkojnë zgjidhje për çështjen e pronësisë dhe garantimin e aksesit të lirë në këtë zonë bregdetare. Në mbështetje të banorëve pati dhe të ardhur nga të tjera zona të vendit e nga emigracioni.

Në një tjetër zhvillim, banorë të fshatit Kryezjarr në Elbasan, sot protestuan për dëmtimin e rrugës nga mjetet e tonazhit të rëndë që po punojnë për ndërtimin e nënstacionit elektrik.

Ata bllokuan hyrjen e nënstacionit me pankarta më duar duke deklaruar se nga dëmtimi i rrugës së fshatit preken rreth 200 banorë.

Ndërkohë, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, me një përfaqësi të banorëve zhvilloi një takim me drejtuesit e kompanisë, prej të cilëve mori garancinë që menjëherë pas përfundimit të punimeve nga makineritë e rënda do të nisë rehabilitimi i rrugës dhe kthimi i saj në gjendjen e mëparshme.