Një aksident me makinë i mori jetën në mënyrë tragjike Fatjon Bunjakut. Futbollisti 22-vjeçar i AF Elbasanit ndërroi jetë pas mesnate, ndërsa udhëtonte në aksin Prishtinë – Mitrovicë.
Bunjaku, i cili së fundmi ishte pjesë e AF Elbasanit, gjatë karrierës ka luajtur për disa skuadra të njohura në Kosovë, ndërsa ishte edhe pjesë e përfaqësueses U-21 të Kosovës, ku konsiderohej një prej futbollistëve me perspektivë.
Ka ndërruar jetë tragjikisht Fatjon Fatmir Bunjaku. Të nderuar bashkëvendas, ju njoftojmë që mbrëmë në një aksident tragjik ka ndërruar jetë Fatjon Fatmir Bunjaku. Për ditën dhe orën e varrimit do t’ju njoftojmë me kohë. Në emër të të gjithë banorëve të fshatit ju shprehim ngushëllime familjes Bunjaku!
Veç AF Elbasanit, Bunjaku ka qenë pjesë edhe e Malishevës, Lirisë, Gjilanit, Trepçës, FC Phoenix dhe Zmaj Makarska (Kroaci).
Rrugëtimi i tij në futbollin profesionist nisi te Trepça, klub ku u formua dhe hodhi hapat e parë në futbollin e të rriturve. Më pas provoi një aventurë në Kroaci te Zmaj Makarska, para se të rikthehej te skuadra mitrovicase.
Pas periudhës në Trepçë, veshi fanellën e Phoenixit, për të vazhduar te Liria e Prizrenit. Më tej, iu bashkua Gjilanit, ndërsa vetëm pak muaj më vonë u transferua te Malisheva.
Paraqitjet e mira në Superligën e Kosovës bënë që në verën e vitit 2025 të transferohej te AF Elbasani në elitën e futbollit shqiptar ku sezonin e fundit luajti 32 ndeshje.