Aktualitet

Ndahet nga jeta mjeku Ndue Cara, ish-kryebashkiak i Pukës!

Ndue Cara, ish-kryebashkiaku i Pukës dhe një nga figurat më të respektuara të komunitetit të zonës u nda sot nga jeta në moshën 77-vjeçare. Pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë, ai u shua duke lënë pas një trashëgimi të rrallë shërbimi dhe përulësie, që e dalloi mes shumë drejtuesve vendorë në Shqipëri.

Edhe pas përfundimit të mandatit si kryetar bashkie, nuk u largua nga qyteti i tij, por iu rikthye profesionit të mjekut me përkushtim. Për më shumë se një dekadë, udhëtonte çdo ditë rreth 90 kilometra për të shërbyer si mjek në zonën e thellë të Fierzës, në kushte shpeshherë shumë të vështira. Ishte ndër të paktët që nuk e ndërpreu asnjëherë shërbimin ndaj njerëzve, as kur mund të kishte zgjedhur një jetë më të qetë pas pensionit.

Kryetari i Bashkisë Pukë, Rrok Dodaj në mesazhin e ngushëllimit u shpreh se, Dr. Ndue Cara, ishte një prej figurave ikonike të mjekësisë pukjane.

Me hidhërim të thellë mësova lajmin e trishtë për ndarjen nga jeta të mjekut të nderuar dhe të palodhur, Dr. Ndue Cara, një prej figurave ikonike të mjekësisë pukjane dhe një personalitet me gjurmë të pashlyera për kontributin e tij në shumë sfera të jetës profesionale, politike, ekonomike dhe administrative të Pukës dhe më gjerë. Në shërbim të qytetarëve anëkënd territorit të Pukës dhe Fushë-Arrëzit, për më shumë se pesë dekada, mjeku Ndue Cara, do të mbahet mend përherë për devotshmërinë dhe papërtueshmërinë, përkushtimin e jashtëzakonshëm, humanizmin dhe zemërgjerësinë në ndihmë të çdo banori. Ai do të jetë shembull frymëzimi për mjekët e rinj, human, qytetar dhe familjar model.

Mjekësia pukjane, ka humbur sot një personalitet të çmuar të saj, një kontribuotor të palodhur, një shërbëtor gojëmbël, një humanist të pashoq. Puka ka humbur një mendimtar dhe një burrë të urtë, i cili si drejtues i mëhershëm institucionesh dhe i pushtetit vendor, ka dëshmuar aftësitë e tij prej një vizionari dhe një intelektuali në dobi të reformimit dhe zhvillimit ekonomik të Pukës.

Ngushëllime shprehu edhe stafi i Njësisë së Kujdesit Shëndetësor Pukë.

Dr. Cara ishte një ndër personalitetet më të shquara të mjekësisë së rrethit Pukë me një kontribut të pakrahasueshëm në fushën e Anatomo-Patologjisë dhe së fundmi si mjek familjeje në Kujdesin Shëndetësor Parësor që spikati për profesionalizmin, përkushtimin dhe lidhjet e pandashme me njerëzit. Si drejtues i institucioneve vendore dhe shëndetësore do të kujtohet si parimor, elokuent, mbartës e përçues i urtësisë, mençurisë dhe i virtyteve më të larta të një intelektuali. Dr. Ndue Cara do të na mungojë gjatë të gjithëve, një njeri i jashtëzakonshëm që i shërbeu familjes, vendit e komunitetit deri në çastet e fundit të jetës.