Aktualitet

Shuhet në moshën 89-vjeçare akademiku Rexhep Qosja!

Ndërron jetë në moshën 89-vjeçare Rexhep Qosja. Lajmin e konfirmuan familjarët e Qoses përmes një njoftimi në faqen zyrtare në Facebook. Amaneti i tij ishte të varrosej pa ceremoni.

Njoftojmë se sot, më datë 23.4.2026 është ndarë nga jeta dhe është varrosur Rexhep Qosja. Varrimi u zhvillua në praninë e anëtarëve të ngushtë të familjes.

Me dëshirë të të ndjerit, nuk do të organizohet ceremoni pritjeje nga familja. Familja nuk do të marrë pjesë në organizime institucionale.

Lusim që privatësia jonë të respektohet dhe të na mundësohet të mbajmë zi në qetësi”, thuhet në njoftimin e publikuar nga nipi Valjet Rexhepi.

Rexhep Qosja (25 qershor 1936, Vuthaj) historian letërsie, kritik letrar, shkrimtar, publicist, politikan dhe akademik shqiptar. Ishte anëtar i rregullt dhe korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, i angazhuar në politikën kosovare të pasluftës.

Autor i disa romaneve të njohura, qe një ndër zërat më të spikatur të dramës moderne shqipe gjatë viteve 1970. Më 2006-ën u përfshi në një debat për identitetin shqiptar me Ismail Kadarenë.

Rexhep Qosja ka botuar disa romane si: “Vdekja më vjen prej syve të tillë” (1974), “Një dashuri dhe shtatë faje” (2003), “Nata është dita jonë” (2007), “Bijtë e askujt” (2010) dhe “Të fshehtat e treguara” (2020).

Ka qenë një ndër intelektualët shqiptarë, i cili ka ngritur zërin në mbrojtje të figurës së Enver Hoxhës. Në debatin e hapur në vitin 2018 mbi shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, mbrojti tezën e shkëmbimit të territoreve.