Sophie Kinsella, autorja britanike e serisë së njohur të romaneve “Shopaholic” mbylli sytë në moshën 55-vjeçe. Lajmin e njoftuan familjarë të saj. Shkrimtarja, e cila nesër do të mbushte 56 vjeçe, ishte e sëmurë prej kohësh.
Vuante nga një sëmundje që e përballoi me një guxim të paimagjinueshëm dhe Sophie ndihej me fat që kishte një familje e miq kaq të mrekullueshëm dhe që pati suksesin e jashtëzakonshëm të karrierës së saj si shkrimtare. Ajo nuk e merrte asgjë si të mirëqenë dhe mbeti gjithmonë mirënjohëse për dashurinë që mori, shkruajnë familjarët në një postim.
Pas fillimeve në gazetari, në vitin 2000 arriti suksesin e parë ndërkombëtar me botimin e “The Secret Dreamworld of a Shopaholic”, i publikuar edhe me titullin “I Love Shopping”. Saga përfshin nëntë romane dhe një ebook.
Në vitin 2009 doli në kinema filmi “I Love Shopping”, i bazuar në dy librat e parë të serisë, me Isla Fisher në rolin kryesor.

Kinsella ishte e sëmurë prej kohësh. Në prill 2024, bëri publike në rrjetet sociale se vuante nga një tumor në tru dhe më pas rrëfeu historinë e diagnozës e të procesit të të mësuarit për të jetuar dhe dashur sërish, në romanin e saj të shkurtër “Çfarë ndjehet”.
Protagonistja është Eve, një shkrimtare e njohur, e cila zgjohet në një shtrat spitali pa kujtuar se si ka përfunduar aty. Bashkëshorti, që i rri pranë vazhdimisht, i shpjegon se i është nënshtruar një operacioni për heqjen e një tumori të madh malinj në tru.
Libri im më autobiografik. Historia e Eve është historia ime, deklaronte Sophie Kinsella.
Romani, prekës dhe optimist, flet për vlerën e jetës. Ndërsa mëson sërish të ecë, të flasë e të shkruajë, Eve duhet të përballet me diagnozën dhe me sfidën për t’u shpjeguar fëmijëve çfarë po ndodh.
Ajo nis të rikujtojë atë që ka rëndësi të vërtetë për të, ecjet e gjata dorë për dore me bashkëshortin, mbrëmjet e kaluara duke luajtur me familjen dhe dëshirën për të mos hequr dorë kurrë nga blerja e fustanit që i pëlqen.