Aktualitet

Nderi i Kombit, Margarita Xhepa shuhet në moshën 91 vjeçe!

Aktorja e madhe Margarita Xhepa u nda nga jeta në moshën 91 vjeçare. Pas problemeve me mushkëritë mbylli sytë rreth orës 03:00 të mëngjesit në një spital në Tiranë. Diva që në karrierën 75 vjeçare në teatër dhe film ka realizuar mbi 180 role, lindi më 2 prill të vitit 1934 në Lushnjë. E vlerësuar me tituj të lartë, përfshirë “Nderi i Kombit” dhe “Artiste e Popullit”, ka marrë vlerësime të shumta për interpretimet e jashtëzakonshme në dramaturgjinë botërore.

Në vitin 2007, Margarita Xhepa u nderua me “Çmimin e Karrierës” për rolin e Nadjezhnës në monodramën “Kënga e mjellmës” të Çehovit, duke e çimentuar statusin e saj si një legjendë e teatrit dhe kinematografisë shqiptare.

Jetën e vështirë dhe fillimet e para në aktrim, zonja e madhe e artit shqiptar i kujtonte kështu:

Isha një vajzë e brishtë, që më pëlqenin fustanet me lule, të cilët derdheshin mbi kërcinjtë e gjatë e që ecja këmbë zbathur nëpër rrugët e Myzeqesë. Nëna ime Maria u nda prej meje, kur isha 9 vjeçe, as fëmijë dhe as e rritur, duke më krijuar një boshllëk të madh, një dhimbje, që do të më shoqëronte tërë jetën.

Nuk e di, por më është krijuar bindja se ishin pikërisht rrëfimet e saj, ato që ndezën tek unë dëshirën për të ndjekur më pas rrugën e bukur të artit. Eh, një fëmijëri në një kohë dhe vend të varfër, që nuk dinim se çfarë ishin lodrat, përveç kërcimit me litar. Në shkollë, shkoja me një çantë lecke dhe shpesh këmbëzbathur. Kujtoj mësuesen e parë, Sofie Kushi, që më mësoi të flas, të recitoj e të këndoj bukur. Sidoqoftë, si për cilindo edhe për mua, fëmijëria është një pasuri e madhe, e pazëvendësueshme.

Ka qënë njësoj e suksesshme në rolet e dramaturgjisë botërore, si Ofelia tek Hamleti, vajza e dytë tek Mbreti Lir, dado tek Romeo e Xhulieta, Mbretëresha Margaret tek Rikardi III, të Shekspirit.

Në rolet e tjera nga dramaturgjia botërore spikasin Klea tek Dhelpra dhe rrushtë (Figereido), Lena tek Xhaxha Vanja (Çehov), Ledi Milford tek Luiza Miler (Shiler), Zonja Berling tek Vizita e inspektorit (Pristli), Zonja Lomen tek Vdekja e një komisioneri (A. Miller), Ana Andrejevna tek Revizori (Gogol), Marsela tek Qeni i kopshtarit (De Vega), Mashenka tek Mashenka (Afigenov), Shejla tek Morali i zonjës Dulska (Zapolska), apo Dado tek Elektra e Sofokliut, nën drejtimin e regjisorit grek Dhimitri Mavriqis, në Teatrin Kombëtar të Greqisë në Athinë.

Veç roleve në teatër, ka realizuar edhe 32 role në kinematografi, duke punuar me shumicën e regjisorëve shqiptarë. Me K. Dhamon xhiron Vitet e para dhe Gjurmët, me I. Muçajn e K. Mitron Dimri i fundit, Tokë e përgjakur, Një djalë edhe një vajzë dhe Apasionata, me Viktor Gjikën, Gjeneral gramafoni, me E. Musliun,Rrethi i kujtesës dhe Vitet e pritjes (E. Musliu), me Kujtim Çashkun, Dora e ngrohtë, me Dhimitër Anagnostin, Gurët e shtëpisë sime, me P. Milkanin, Pranvera s’erdhi vetëm, me S. Kumbaron, Koncert në vitin 1936, me Gj. Xhuvanian E diela e fundit dhe I dashur armik.