Aktualitet

Ndërron jetë Mitropoliti i Gjirokastrës, Dhimitri!

Mitropoliti i Gjirokastrës, Dhimitri ndërroi jetë në moshën 84 vjeçare. Lajmin e dha Kisha Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë në një postim në rrjetet sociale. Kleriku ishte dërguar në Spitalin e Përgjithshëm Universitar të Janinës, për shkak të një infeksioni respirator e të endokarditit. Por, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk arriti ta mposhtte sëmundjen.

Shërbesa e përshpirtjes (trisaia) u krye në kishëzën e Kryepiskopatës së Shenjtë të Tiranës. Shërbesa e varrimit do të mbahet në Katedralen ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, në Gjirokastër, më 1 korrik, në orën 11:00.

Mitropoliti i Gjirokastrës, Dhimitri, u lind në Serres të Greqisë, në shtator të vitit 1940. Studimet i kreu në Fakultetin e Teologjisë të Universitetit “Aristoteli” të Selanikut, ku edhe u diplomua.

Jeta e tij u karakterizua nga përkushtimi i plotë ndaj Kishës. Ishte anëtar i vëllazërisë monastike të Manastirit të Hirshëm të Shën Ekaterinës në Malin Sinai (Egjipt), ku u bë murg në vitin 1974. Në këtë manastir punoi në fushën e paleografisë dhe të sistematizimit të dorëshkrimeve të vjetra, të cilat përbëjnë një nga pasuritë më të njohura të këtij manastiri.

Veprimtarisë misionare të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë iu bashkua që në hapat e saj të parë, pas mbërritjes së Kryepiskopit Anastas në gusht të vitit 1991. Nga vjeshta e vitit 1994 shërbeu si Protosingjel i Mitropolisë së Gjirokastrës.

Zgjedhja e tij në fronin e Mitropolisë së Gjirokastrës u bë më 11 nëntor 2006, nga Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, pas Asamblesë së Përgjithshme Kleriko-Laike, e cila miratoi Statutin e Kishës. U dorëzua episkop më 16 nëntor 2006, në Kishën e Ungjillëzimit të Hyjlindëses në Tiranë, ndërsa ceremonia e fronëzimit u krye më 26 nëntor 2006 në Gjirokastër, në Kishën e Shenjtë të Kryeengjëjve.

Gjatë periudhës së shërbesës si mitropolit, dha kontribut të rëndësishëm në ringjalljen e Kishës Ortodokse në Shqipërinë e Jugut. E udhëhoqi shpirtërisht grigjën e tij për 19 vjet, duke ndërtuar kisha, zhvilluar katekizmin e veprimtarinë filantropike, si dhe duke forcuar jetën shpirtërore të besimtarëve.