Aktualitet

Sot ceremonia e fronëzimit të Kryepeshkopit Joan!

Në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në kryeqytet, po mbahet ceremonia e fronëzimit të Kryepeshkopit të Shqipërisë, Joan Pelushi. Qindra besimtarë janë mbledhur për të ndjekur nga afër të parën ceremoni të uljes së një kryepeshkopi shqiptar në fronin më të lartë të Kishës Ortodokse në vendin tonë. Nuk mungojnë as përfaqësues të shtetit shqiptar dhe atij grek e politikanë, krahas të ftuarve nga 13 kisha Ortodokse në botë.

Mes të pranishmëve, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, kryeparlamentarja Elisa Spiropali, zv.kryeministrja Belinda Balluku, kreu i opozitës Sali Berisha e ish-presidentët Bamir Topi dhe Alfred Moisiu. Greqia përfaqësohet nga ministri i Mbrojtjes, Nikos Dendias e ministrja për Edukimin dhe Fenë. Në fronëzimin e kryepeshkopit shqiptar nuk merr pjesë kryeministri Kyriakos Mitsotakis, i cili më 30 janar ishte në Tiranë kur iu dha lamtumira kryepeshkopit të ndjerë, Anastas.

Nga përfaqësuesit shtetërorë do të flasë vetëm Kryetari i Shtetit, Bajram Begaj. Mitropoliti i Apolonisë, Hirësia e tij, Nikolla bën përshëndetjen në emër të Sinodit të Shenjtë. Fjalimi kryesor i takon Fortlumturisë së tij, Joanit, i cili më pas ulet për herë të parë në fronin kryepiskopal, të drejtë që do ta gëzojë për sa të jetojë mes të gjallëve.

Po në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, nesër do të mbajë  shërbesën e parë si kryepeshkop tashmë i fronëzuar, ndërkohë që duhet të zgjedhë pasuesin e tij në Mitropolinë e Korçës, aty ku shërbeu pa ndërprerje që nga viti 1998.

Për disa vite, Joan Pelushi ka studiuar në shkollën teologjike ortodokse të Kryqit të Shenjtë pranë Bostonit në Shtetet e Bashkuara. Eshtë diplomuar nga Fakulteti Ortodoks i Teologjisë Kryqi i Nderuar në Amerikë (Holy Cross Orthodox School of Theology, Boston), me gradën “Master of Divinity”. Ka studiuar në SHBA, falë një burse studimi të themeluar atje nga shqiptarët në Amerikë në kujtim të Fan Nolit.

Më parë ka shërbyer si pedagog dhe dekan i Akademisë Teologjike të Kishës Ortodokse Shqiptare. Në këtë detyrë të lartë pason Kryepeshkopin Anastas Janullatos, i cili u nda nga jeta në moshën 95-vjeçare më 25 janar 2025, në një spital në Athinë. Në testamentin e tij, Kryepeshkopi Anastas shprehu dëshirën që Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë të ketë në krye një klerik shqiptar.