Bursa Shqiptare e Energjisë (ALPEX) raportoi se vitin e kaluar, faturimi i energjisë në shitje dhe blerje kapi vlerën e 310 milion eurove. Raporti vjetor për 2024-ën vlerësoi se në tregun e ditës në avancë u tregtua një volum total prej 1.17 milion MWh ku çmimi klerues mesatar ishte 112.01 €/MWh.
Sa i takon rrjedhjes së energjisë, të dhënat tregojnë se nga Shqipëria drejt Kosovës ishin 27.8 mijë MWh kurse nga Kosova drejt Shqipërisë: 241 mijë MWh. Oferta në blerje ishte 1.53 milion MWh kurse në shitje 1.86 milion MWh.
Të dhënat e raportuara tregojnë gjithashtu se rekordi i tregtimit për një Njësi Kohore të Tregut (MTU) ishte 497.87 MWh më 19 maj 2024. Rekordi ditor i tregtimit ishte 7,816 MWh më 23 maj 2024.
Rekordi mujor i tregtimit ishte 133.906 MWh në muajin maj. Ndërkohë rekordi për rrjedhën e energjisë u regjistrua në qershor me 41,859 MWh nga Kosova drejt Shqipërisë.
Vitin e kaluar, ALPEX u rrit me 17 anëtarë të rinj të Bursës në Tregun e Ditës në Avancë dhe dy anëtarë të rinj të Përgjithshëm Klerimi. Totali i anëtarëve ishte: 36 anëtarë burse dhe 4 anëtarë të përgjithshëm klerimi.
Bursa Shqiptare e Energjisë nisi operimin më 12 prill 2023, fillimisht vetëm për Shqipërinë dhe më pas, më 2024-ën edhe me Kosovën. Aktorë të tregut, por edhe Sekretariati i Energjisë kërkonin prej vitesh ngritjen e një platforme të tillë si një mekanizëm për rritjen e transparencës në treg, por edhe rritjen e sigurisë energjetike.
Kjo u bë edhe më evidente gjatë vitit 2022 kur kriza e energjisë arriti kulmin e saj dhe kërcënimi real për vendet u bë sigurimi i energjisë dhe çmimet arritën nivele rekord./Monitor