Stërvitja shumëkombëshe “Defender 25”, një nga më të mëdhatë e më komplekse të dekadës së fundit në Europë dhe Afrikë nisi disa ditë më parë nga Shqipëria. Në kuadër të saj, në ujërat territoriale të Durrësit u zhvillua një operacion i simuluar detar, rreth 6 milje larg portit.
Kryeministri Edi Rama sot ndan në rrjetet sociale momente nga kjo stërvitje, e cila zhvillohet nën udhëheqjen e Komandës Europiane të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në bashkëpunim të ngushtë me vendet aleate dhe partnere të NATO-s.
MIRËMËNGJES dhe me Forcat e Armatosura që vijojnë stërvitjen “Defender 25”, stërvitja ndërkombëtare, një nga më të mëdhatë dhe më komplekset e dekadës së fundit në Europë dhe Afrikë, që zhvillohet nën udhëheqjen e Komandës Europiane të SHBA, në bashkëpunim të ngushtë me vendet aleate dhe partnere të NATO-s, ju uroj një fundjavë të mbarë!
Në këtë stërvitje të përbashkët morën pjesë anije të Flotës Detare Shqiptare “Lissus”, “Oriku” e “Semani”, si dhe dy mjete lundruese amerikane e dy helikopterë “Cougar” të Forcës Ajrore.
Për herë të parë, Shqipëria angazhoi në manovra dronët e saj pa pilotë, apo siç njihen ndryshe dronët Bajraktar, të cilët siguruan pamje në kohë reale për Komandën e Brigadës në Zall-Herr.
Në thelb të demonstrimit ishte një incident i simuluar, ku forcat detare shqiptare dhe amerikane ndërhynë ndaj një anijeje të dyshuar që po largohej nga ujërat territoriale pa leje. Këto ndërhyrje u kryen nga ajri dhe deti, si dhe u monitoruan nga droni Bajraktar.
E drejtuar nga Komanda Europiane e Shteteve të Bashkuara (USEUCOM) dhe e zhvilluar në bashkëpunim me vendet aleate të NATO-s dhe partnerët strategjikë, stërvitja do të zgjasë deri më 9 qershor 2025, pra deri të hënën e javës së ardhshme.