Aktualitet Sociale

Në trend rënës fondet për ndihmën ekonomike në raport me PBB-në!

Teksa zyrtarisht Shqipëria ka 42% të popullsisë në rrezik të varfërisë, shpenzimet për ndihmën ekonomike në raport me PBB-në në këto vitet e fundit kanë ardhur në rënie. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se shpenzimet buxhetore për ndihmën ekonomike në Shqipëri në raport me PBB-në kanë një tendencë tkurrjeje.

Në vitin e kaluar, fondet për shpenzimet për ndihmën ekonomike arritën vetëm 1,1% e PBB-së, dukshëm më pak se 1.6% më 2014-ën. Rënia e vazhdueshme e shpenzimeve buxhetore në raport me PBB-në për shtresat në nevojë vjen në një kohë kur kostot e jetesës, të tilla si çmimet e ushqimeve, qirasë, transportit etj, janë rritur ndjeshëm, duke goditur më fort shtresat në nevojë.

Në fillim të viteve ’90, mbështetja ekonomike zinte peshë relativisht të lartë në PBB, duke arritur kulmin në vitin 1995 me 1.7% të PBB-së. Kjo ishte një periudhë kur Shqipëria po përjetonte tronditje të thella ekonomike pas rënies së sistemit komunist. Në këtë kontekst, roli i ndihmës ekonomike si instrument i stabilitetit social ishte jetik.

Të dhënat tregojnë se pas 2014-ës fillon një fazë rënieje e vazhdueshme e ndihmës ekonomike në raport me PBB-në. Por nga ana tjetër, Shqipëria është vendi me nivelin më të lartë të varfërisë relative në Rajon e në Europë me të dhëna të Bankës Botërore dhe Eurostat-it.

Ndërsa vendi ka përjetuar rritje ekonomike, rënia progresive e përqindjes së ndihmës ekonomike në raport me PBB-në ngre shqetësime për rolin e mbrojtjes sociale në politikat publike, që janë vënë në dukje edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare si Banka Botërore e Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Shqipëria ka nivelet më të ulëta në Rajon të ndihmës ekonomike. Shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor gjatë pandemisë COVID-19 dhe pas saj rritën shpenzimet sociale, duke përfshirë transferta direkte, subvencione për faturat e energjisë apo skema për ndihmë për ushqim e ngrohje.

Shqipëria jep ndihmë ekonomike për rreth 62 mijë familje, por sasia e ndihmës është shumë poshtë minimumit jetik (6.85 USD në ditë) për person. Por, nëse qeveria shqiptare synon të përmbushë objektivat e integrimit në BE, rritja e shpenzimeve për ndihmën ekonomike është një nga kriteret kryesore në grupin e reformave ekonomike për të bërë rritjen ekonomike gjithëpërfshirëse./Monitor