Deputeti demokrat, Xhelal Mziu kërkoi zhvillimin e një interpelance në Kuvend me ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, lidhur me situatën në bujqësi, duke e cilësuar “kaotike” e në përkeqësim të vazhdueshëm. Sipas tij, kërkesa është refuzuar në mënyrë “të padrejtë”, me argumentin se çështja bie në kompetencën e SPAK-ut, për shkak të hetimeve mbi fondet IPARD.
Mziu theksoi se nuk ka konflikt kompetencash mes Kuvendit dhe SPAK-ut, duke argumentuar se Parlamenti ka të drejtë të kontrollojë qeverinë, ndërsa SPAK heton individë. Ai akuzoi maxhorancën se po përdor këtë situatë si alibi për të shmangur përgjigjet nga ministri i Bujqësisë.
Kam kërkuar një interpelancë me bujqësinë për shkak të situatës kaotike dhe të papritur. Ju vendosni ta anuloni me pretekstin se futemi në kompetencën e SPAK-ut për fondet IPARD. Nuk ka asnjë lloj konflikti. Parlamenti dhe SPAK-u janë dy institucione të ndryshme. Është e padrejtë dhe e pavend e duhet të më jepet e drejta e interpelancës. Fakti që po hetohen fondet e IPARD-it është një shtrembërim i Kushtetutës: Parlamenti heton qeverinë, SPAK-u heton individët. Ju po krijoni alibi që të mos përgjigjet ministri, tha Mziu.
Sipas deputetit, sektori i bujqësisë ndodhet në regres prej 6 vitesh, duke humbur rolin si një nga kontribuuesit kryesorë të ekonomisë shqiptare.
Nga ana tjetër, Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, deklaroi se kërkesa e paraqitur nga PD-ja nuk plotëson kushtet ligjore për t’u pranuar. Ai sqaroi se një pjesë e çështjeve të ngritura në kërkesë lidhen me fondet IPARD-it, që aktualisht janë objekt hetimi nga SPAK-u, çka sipas tij e bën të pamundur zhvillimin e interpelancës në këtë fazë.
Në Kuvend është depozituar kërkesa nga PD-ja për interpelancë me ministrin e Bujqësisë. Kërkesa nuk plotëson kushtet ligjore për t’u pranuar. Një pjesë e çështjeve të ngritura lidhet me IPARD-in dhe janë objekt i hetimit të SPAK-ut, tha Peleshi.
Pas votimit në Kuvend, kërkesa për zhvillimin e interpelancës u refuzua me 74 vota kundër dhe 13 pro.