Aktualitet Rajoni Sociale

Shpenzimet buxhetore për skemën e pensioneve, më të ulëtat në rajon!

Numri i personave që përfitojnë nga skema e sigurimeve shoqërore është rritur ndjeshëm vitet e fundit, por në anën tjetër shpenzimet buxhetore në raport me PBB-në për pagesat e pensioneve janë në trend rënës pas pandemisë. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se shpenzimet buxhetore për skemën e pensioneve arritën në 7.4% të PBB-së vitin e kaluar, një nivel i ngjashëm me 2023-shin dhe niveli më i ulët që nga viti 2014.

Teksa shpenzimet buxhetore për sigurimet shoqërore si pjesë e PBB-së shënuan rënie, numri i përfituesve në skemë u rrit me 20% ndërmjet viteve 2014 e 2023. Nga rreth 4,8 % e PBB-së në fillim të tranzicionit, shpenzimet buxhetore për skemën publike të pensioneve arritën në 6% të PBB-së në fillim të viteve 2000, për të shënuar një ngjitje graduale pas 2010-ës, duke kapur 7% më 2013-shin e më pas kulmin prej rreth 8,1% në vitin 2020, kur pandemia rriti faturën e pensioneve dhe përfitimeve të përkohshme. Pesha ka zbritur lehtë deri në rreth 7,4-7,5 % të PBB-së në vitet 2023-2024.

Shpenzimet e Shqipërisë për skemën e pensioneve në raport me PBB-në janë shumë më të ulëta se në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Përveç Kosovës dhe Shqipërisë, të gjitha vendet e tjera shpenzojnë më shumë se 10% të PBB-së të tyre për pagesën e pensioneve.

Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se Shqipëria ka një rritje të qëndrueshme, por ende të moderuar të shpenzimeve për sigurimet shoqërore krahasuar me fqinjët. Nga njëra anë, qeveria e ka një avantazh për më shumë qëndrueshmëri fiskale, por nga ana tjetër, pagesat e ulëta të përfitimeve sociale nuk janë të favorshme për një treg pune që po zbrazet nga emigracioni dhe po plaket me shpejtësi.

Këtë vit Bosnjë-Hercegovina (FBiH) zbatoi formulën ligjore të indeksimit bazuar në inflacion dhe rritje të PBB-së, duke rritur pensionet me 4,49% më 2025-ën. Gjatë këtij viti, Kosova aplikoi rritjen më të madhe të pensioneve me 20%. Mali i Zi vendosi që në vitin 2025, asnjë pensionist të mos përfitojë më pak se 450 euro në muaj.

Maqedonia e Veriut kaloi nga indeksimi në një shtesë fikse, duke lehtësuar pensionet e ulëta dhe mesatare. Serbia po jep pensionin e 13-të duke ndarë në shtesa të barabarta mujore për të ruajtur fuqinë blerëse deri në rritjen e radhës sipas modelit zviceran.

Në Shqipëri indeksimi i fundit 4,1% ishte në tetor 2024, teksa qeveria ka shpërndare bonus të njëhershëm, sa 25% e pensionit mesatar ketë vit./Monitor