Tirana do të presë për herë të parë një garë “Triathlon”-in, sporti që bashkon tre disiplinat sportive më të njohura në një garë të vetme: not, çiklizëm, vrap. Qindra sportistë, profesionistë ose jo, do të garojnë nesër përgjatë një itinerari të mirëpërcaktuar nga Bashkia e Tiranës, në harmoni me natyrën e Liqenit të Farkës, duke promovuar njëkohësisht edhe vlerat turistike të zonës. Ndërkaq Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se: “Pas organizimit të Maratonës së Tiranës për dy vjet radhazi dhe koncerteve të Rita Orës dhe Ermal Metës, nuk ka më dyshime se këto aktivitete sjellin turizëm, promovim, na fusin në harta të rëndësishme turistike dhe përmendemi në revista të tilla si Lonely Planet. Pra, të gjitha këto janë pjesë e një strategjie të madhe ku sa më shumë aktivitete të ndodhin në Tiranë, aq më shumë Tirana përmendet si destinacion turistik për Ballkanin. Ambicia jonë është që zona rurale e Tiranës të marrë po aq vëmendje sa ka marrë edhe zona qendrore e Tiranës. Pra, filluam nga qendra, nga zonat urbane, kurse tani po shkojmë te zona rurale më e afërt. Duam që të jetë një kartolinë tjetër shumë e bukur e Tiranës. Aktiviteti nis në orën 10:00 dhe duam t’i ftojmë të gjithë qytetarët e Tiranës, edhe ata që ndoshta nuk do të garojnë në një garë që është relativisht e vështirë, por që mund të jenë amatorë, ose gjysmë-profesionistë, që në këtë fazë të parë mund shohin dhe pastaj mund të fillojnë edhe të ushtrohen. Ftoj të gjithë qytetarët që të na bashkohen, në një piknik familjar, të respektojnë kolegët e Policisë së Shtetit dhe të Policisë Bashkiake”, nënvizoi Veliaj.