Aktualitet

Nga Janari janë ndaluar 2500 emigrantë të paligjshëm

Nga fillimi i janarit deri në ditët e sotme, Policia e Shtetit ka ndaluar 2500 emigrantë që kanë kaluar kufirin jeshil me Greqinë, për të kaluar në Malin e Zi dhe më pas drejt Europës. Ndërkaq, në qendrën e azilkërkuesve në Babrru, kanë aplikuar për azil 1700 persona, por numri i aprovimeve është pothuajse 10-fish më i ulët, pasi rastet verifikohen imtësisht. Emigrantët qëndrojnë në Shqipëri për disa ditë, e më pas largohen për t’iu drejtuar kufirit me Malin e Zi. Ndërkaq për të frenuar këtë fenomen policia ka shtuar kontrollet. 200 efektivë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të Korçës, Gjirokastrës dhe Shkodrës ndodhen në gadishmëri për të mbështetur kufitarët. Shpërndarja e FNSH-së është planifikuar sipas territorit që mbulojnë, ku efektivët e Korçës patrullojnë në Qafë-Thanë, Devoll, Kolonjë e pika të tjera. Specialët e Gjirokastrës mbikqyrin Kakavijën, Përmetin, Sarandën, dhe ata të Shkodrës në Muriqan, Hanin e Hotit apo në zona të tjera.