Sot hyri në fuqi ndalimi i përkohshëm i qarkullimit të monopatinave elektrike në rrugët e vendit. Ky është vendim i marrë nga Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit, pasi është shtuar numri i aksidenteve. Ministrja Albana Koçiu u shpreh:
I kam kërkuar Policisë së Shtetit që përkohësisht të mos lejojnë qarkullimin e monopatinave elektrike në rrugë.
Gjithashtu dua të informoj të gjithë ata që e shohin monopatinën elektrike si mënyrën biznesi për dhënien me qira ditore, duhet ta kenë të qartë që të mos investojnë në këtë aktivitet. Lejimi gjithmonë pas përfundimit të këtij procesi do të jetë i vlefshëm vetëm për përdorim vetjak të këtyre mjeteve.
Ne do të hartojnë rregulla të qarta e të zbatueshme nga të gjithë. Do të qartësojmë se cilat janë korsitë, rrugët apo hapësirat ku monopatinat elektrike mund të përdoren e ku jo, si dhe kritere për moshën e përdorimit, masat mbrojtëse si kasa, ndriçimi apo shpejtësia e lejuar.
Teksa informoi lidhur me operacionin për ndalimin e qarkullimit të monopatinave elektrike, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve për këtë proces.
Që nga dita e hënë (13.10), Policia e Shtetit përfshihet në operacion për ndalimin e qarkullimit të këtyre mjeteve dhe prandaj kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve për këtë proces. Ne kemi bërë një analizë të hollësishme në lidhje me këtë fenomen dhe kemi arritur në përfundimin që përdorimi i këtyre mjeteve po shkakton një rrezik imediat për sigurinë publike.
Mjafton të përmendim faktin që vetëm për vitin 2024 janë 991 raste të raportuar nga Urgjenca për aksidentet me këto mjete. Midis këtyre rasteve ka patur edhe fatalitete e dëmtime shumë të rënda.
Kosova ka filluar të ndalojë qarkullimin e monopatinave elektrike në disa qytete që nga gushti i vitit 2022. Kjo masë është marrë për të rritur sigurinë e qytetarëve e për të menaxhuar rritjen e përdorimit të këtyre mjeteve.