Një ngjarje tragjike ka ndodhur një natë më parë (1 shkurt) në fshatin Jabllanicë të Gjakovës. Raportohet se 3 të mitur kanë humbur jetën si pasojë e shembjes së një shtëpie të pabanuar.
Sipas mediave në Kosovë njëri nga viktimat është 14 vjeç kurse dy të tjerë janë nga 15 vjeç. Sipas zëdhënësit të policisë, fqinjët kanë nxjerrë trupat e pajetë nga rrënojat.
Më datë 1 shkurt 2025, rreth orës 22:50, jemi njoftuar se në fshatin Jabllanicë është rrëzuar pllaka e një shtëpie të pabanuar, duke zënë poshtë tre fëmijë. Në vendngjarje kanë dalë njësitë e nevojshme policore, si dhe ekipet e emergjencës, përfshirë ambulancën dhe zjarrfikësit. Personeli mjekësor ka konstatuar në vendngjarje vdekjen e viktimave. Lidhur me rastin, është njoftuar edhe prokurori i shtetit në koordinim me të cilin, aktualisht janë duke u ndërmarr veprimet e nevojshme hetimore, njofton policia.
Shedi i Policisë së Kosovës, Milazim Lumi ka thënë për mediat lokale në Kosovë se objekti i shembur ka qenë ndërtesë e vjetër, e pabanuar, e mbetur pas luftës së vitit 1999 në Kosovë.
Policia ka thënë se ka dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa ekipi mjekësor e ka konstatuar vdekjen e fëmijëve dhe trupat e tyre janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Familjari i viktimave, Përparim Ademaj, ka thënë të dielën për mediat lokale se të rinjtë kanë dalë disa orë para incidentit për të luajtur së bashku, ndërsa familjarët e kanë zbuluar se ata kanë qenë në objektin e rrënuar nga dridhjet e telefonave, sa kanë qenë duke i kërkuar në rrethinë.
Sipas tij, kamerat e shtëpive në afërsi tregojnë se objekti i pabanuar është shembur rreth orës 16:35 të shtunën, ndërsa trupat e viktimave janë gjetur pas gati katër orëve.
“Policia, ambulancat, zjarrfikësit kanë ardhur shumë shpejt. I kemi gjetur pa shenja jete”, ka thënë ai.
Presidentja e Kosovës u ka shprehur ngushëllime më të sinqerta familjarëve për incidentin që e ka quajtur tragjik.
“Nuk ka fjalë që mund ta lehtësojë dhimbjen e familjeve që sot po përballen me boshllëkun e pafund që lë pas humbja e më të dashurve të tyre”, ka thënë Osmani përmes një postimi në Facebook.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka bërë thirrje që të bëhet hetim i tërësishëm i rastit.
Thirrje për hetime kanë bërë edhe figura tjera politike.
Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, ka thënë se është i tronditur nga lajmi për vdekjen e tre fëmijëve, dhe i ka ngushëlluar familjarët.
“Le të bëjmë krejt çka mundemi të jemi me familjet në këto çaste të rënda!”, ka thënë ai përmes një postimi në Facebook.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, u ka shprehur ngushëllime familjarëve dhe ka thënë se kryeqyteti ka gatishmëri për t’i ofruar çdo ndihmë të mundshme Komunës së Gjakovës.
“Një tragjedi e tillë na kujton përgjegjësinë tonë të përbashkët për të krijuar një mjedis më të sigurt për të gjithë! Ngushëllime të sinqerta të gjithë familjarëve, miqëve dhe të afërmve të tyre”, ka thënë Rama në Facebook.
Për rastin kanë shprehur keqardhje shumë figura të larta politike në Kosovë.