Ekspertët zbulojnë se cilat ngjyra nxisin relaksimin dhe cilat mund të prishin cilësinë e gjumit në dhomën tuaj. Mënyra si është e mobiluar dhoma e gjumit luan një rol vendimtar në pushimin tonë. Rendi i mobileve, përzgjedhja e materialeve dhe, mbi të gjitha, paleta e ngjyrave ndikojnë drejtpërdrejt në qetësinë e trupit dhe mendjes. Ekspertët e dizajnit të brendshëm theksojnë se ngjyrat nuk janë vetëm element estetik, por faktor psikologjik që formëson disponimin dhe ndjenjën e rehatisë në hapësirë.
Ngjyrat që duhen shmangur
Sipas Kate Duffy, eksperte e arredimit të brendshëm, hapi i parë është të mendoni për atmosferën që doni të krijoni. Shumica e njerëzve duan qetësi dhe ndjenjë relaksi, ndaj është mirë të shmangni tonet e ftohta dhe pa jetë, që krijojnë ndjesi të distancës apo ftohtësisë emocionale. Nuancat gri ose të bardha me nënton të ftohtë shpesh japin përshtypjen e sterilitetit, madje edhe të trishtimit. Në vend të tyre, ekspertët këshillojnë tonet e ngrohta neutrale ose tokësore, që sjellin ndjesi ngrohtësie, rehatie dhe natyraliteti.
Ngjyrat e ndezura si e verdha e fortë, rozë apo jeshile e gjallë mund t’i japin dhomës energji, por nëse dominojnë muret, ato mund të shkaktojnë nervozizëm dhe vështirësi në relaksim. Përdorini vetëm në detaje si jastëkë dekorativë, perde ose tablo për të sjellë gjallëri pa prishur harmoninë. E kuqja, ndonëse shpesh lidhet me pasionin dhe romantikën, është ngjyrë stimulante që mund të ngrejë nivelin e energjisë dhe të pengojë gjumin. Studimet tregojnë se nxit edhe oreksin, prandaj nuk është zgjedhje e mirë për hapësira të destinuara për pushim.
Si të neutralizoni ngjyrat e papërshtatshme?
Nëse muret tashmë janë lyer me ngjyra jo të përshtatshme, efekti i tyre mund të zbutet me mobilie të mëdha që mbulojnë sipërfaqe dominuese, me piktura ose pasqyra që krijojnë ekuilibër vizual. Gjithashtu, ndriçimi i ngrohtë dhe difuz mund të ndryshojë ndjeshëm mënyrën si perceptohet ngjyra në dhomë, duke e bërë atë më të butë dhe qetësuese.
Ngjyrat që ndihmojnë gjumin e mirë
Ekspertët rekomandojnë tonet e buta të kaltrës, që qetësojnë mendjen dhe krijojnë ndjesi sigurie. Bezha dhe tonet rërorë sjellin ngrohtësi dhe stabilitet, ndërsa livanda, vjollca e hapur dhe jeshilja ulliri janë ideale për të krijuar një atmosferë të balancuar e natyrore. Për ata që duan një prekje romantike, rozë e zbehtë apo nuanca pudre janë zgjedhje perfekte delikate, të balancuara dhe plot finesë.