Denoncimet e qytetarëve për paligjshmëritë në terren, në Sarandë çuan në një goditje brenda radhëve të Policisë së Shtetit. Pas një informacioni në Drejtorinë e Përgjithshme për një ndërtim masiv pa leje në det, u prangosën shefi i Komisariatit, tre specialistë, si dhe u pezullua Shefi i Seksionit të Krimeve.
Aksioni nisi si ndërhyrje kundër betonizimit të bregdetit, por u thellua duke zbuluar zinxhirin e mosveprimit brenda vetë radhëve të bluve.
Zbulimi i objektit në ujë dhe 8 arrestimet e para
Sinjali i parë u dha në lagjen nr.1 të Sarandës, ku u konstatua një objekt i përbërë nga disa struktura, një pjesë e të cilave brenda në det. Ndërhyrja e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë çoi në arrestimin në flagrancë të 8 personave që po kryenin punimet e jashtëligjshme.
Paralelisht, u shpall në kërkim një shtetase, poseduese e hapësirës së plazhit dhe porositëse e punimeve. Në terren zbarkuan IKMT, IMT e Policia Bashkiake, që kryen prishjen e plotë të ndërtimeve.
Bie kupola e Komisariatit, emrat dhe akuzat
Skandali thellohej me pyetjen se si një ndërtim i tillë po lulëzonte pa u shqetësuar nga autoritetet lokale. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë njoftoi Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe Prokurorinë e Sarandës, që nisën një hetim të thelluar.
Pas mbledhjes së provave, u lëshuan urdhër-arrestet për katër zyrtarë të lartë dhe oficerë të terrenit:
Komisar Gëzim Bashllari, me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Sarandë;
Nënkomisar Andi Duro, specialist për hetimin e krimeve;
Nënkomisar Ajdin Ismailaj, specialist për rendin;
Inspektor Robert Çullaj, specialist zone.
Sipas dosjes hetimore, në mënyrë të vetëdijshme, ata kanë lejuar zhvillimin e kësaj paligjshmërie.
Ndaj këtyre punonjësve rëndojnë dyshime të forta për konsumimin e veprave penale “Shpërdorim detyre”, “Kryerja e veprimeve arbitrare” dhe “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme”, vepra të kryera në bashkëpunim, jo vetëm për këtë rast, thuhet në njoftimin zyrtar.