Udhëtim me votën e shqiptarëve në zgjedhje. Top Albania Radio vjen me një maratonë informative dhe analitike me raportime nga terreni dhe opinionistë për të sjellë në kohë reale gjithçka do ndodhë ditën e zgjedhjeve më 11 Maj dhe ditët në vijim deri në daljen e rezultatit të plotë me “Shqipëria Vendos – Zgjedhjet 2025”.
Nën drejtimin e gazetarit Blendi Salaj, Top Albania Radio ju sjell një maratonë zgjedhore me raportime të gazetarëve të Top Media nga çdo cep i Shqipërisë – shoqëruar me analiza në studio, intervista me protagonistët dhe rezultatet e çdo qyteti.
I ftuar në studio ka qenë Adri Nurellari, analist politik i cili ka analizuar me detaje gjithçka rreth ditës së sotme të zgjedhjeve në vendin tonë. Ai ka shpjeguar se pse sipas tij zgjedhjet e vitit 2025 nuk ofrojnë atë që duhet të ofronin për zgjedhësit.
Oferta në menu është shumë e kufizuar. Bëhet fjalë për të njëjtën ofertë që kemi pasur në vitin 2013 ku janë të njëjtit aktorë dhe gara gjithashtu e njëjtë. Madje edhe figurat dhe sloganet janë deri diku të ngjashme. Shqiptarët e kanë mundësinë shumë të ulët për të zgjedhur dhe ripërtërirë politikanët. Sikurse thuhet edhe në Amerikë shpesh që plotikanët dhe pelenat duhet ndërruar shpesh për të njëjtën arsye. Këtu nuk ka ndodhur kjo gjë.
Duke bërë një krahasim dhe një analizë me vendet fqinje ku gara ka qenë me figura krejt të tjera që janë larguar prej politikës, e kam fjalën për Kosovën ku ka qenë Isa Mustafa me Hashim Thaçin, Mali i Zi me Gjokanoviç, Maqedoni me Nikola Gruevski. Antonis Samaras dhe Aléxis Tsípras në Greqi.
Adri shtoi se:
Ne jemi vendi i vetëm që nuk kemi qarkullim por riciklim. Është bërë e qartë dhe arsyeja se pse partitë e vogla në rrjedhën e viteve kanë mbetur në tentativë sepse sistemi i kësaj lëvizje patronazhi shkon në nivel kapilar dhe e ka bërë të pamundur për partitë e reja. Sikur të mos mjaftojë fakti që kontrollojne instrumentat e pushtetit, patitë e mëdha PD dhe PS para çdo palë zgjedhjeve, rindryshojnë rregullat e lojës.