Pas tre shkollave të para në Tiranë, që i janë bashkuar nismës për t’i mbajtur hapur dyert për banorët e zonës, “Qemal Stafa” është e katërta që ka vënë hapësirat e saj sportive në shërbim të të rinjve që duan të merren me sport. Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, theksoi se nisma synon të nxisë fëmijët dhe të rinjtë të merren me sport. Ndërkaq ai tha se: “Kjo ka qenë një ndër shkollat e para që kemi rikonstruktuar. Këto dy vjet kemi menduar se si të gjenim një mënyrë që shkolla të hapej, jo si një shtëpi pa zot, por sipas një sistemi, për mirëmbajtje dhe kujdes. Ndaj, më vjen mirë që kemi gjetur këtë formulë fantastike midis bashkisë, drejtorisë dhe shoqatave sportive, për t’i shfrytëzuar këto mjedise jashtë orarit të mësimit”, tha Veliaj. Ai theksoi se hapja e palestrave synon të nxisë fëmijët dhe të rinjtë të merren me sport, si një mundësi e shkëlqyer për t’u marrë me aktivitet fizik, por mbi të gjitha edhe për të formësuar karakterin e tyre me shpirtin e garës. “Jo të gjithë do të bëhen kampionë, por ky nuk është thelbi i këtij projekti. Sigurisht, është mirë të zbulojmë talente, por ama nuk është qëllimi i projektit. Qëllimi është që edhe ata që nuk do të bëhen basketbollistë elitarë, të kenë mundësi të luajnë në skuadër, të mësojnë çfarë është humbja, çfarë është fitorja. Arsyeja pse e them këtë është se loja më e rëndësishme nuk është kjo këtu, në këtë fushë, loja më e rëndësishme është tek ajo fusha aty jashtë, në fushën e jetës, mënyra sesi e trajtojmë njëri-tjetrin në këtë qytet, se si ndajmë hapësirën me njëri-tjetrin, si ndihmojmë ata që janë në nevojë, si respektojmë skuadrën”, u shpreh Veliaj. Kryebashkiaku veçoi si një mundësi të artë për të rinjtë e kësaj njësie faktin se në këtë palestër do të shërbejnë si trajnerë disa nga kampionët sportivë të vendit. “Në çdo vend të botës është ëndërr që një ish-kampion ose ish-kampione, të jetë trajneri yt; në çdo vend të botës njerëzit do rreshtoheshin në radhë për këtë. Nëse e fillojmë që në këtë moshë duke i thënë çdo vajze që ti vlen njësoj sa çdo djalë dhe çdo djali që ti vlen njësoj sa çdo vajzë, kjo është Tirana e ëndrrave të mia dhe besoj se kjo është Tirana edhe e ëndrrave tuaja”, shtoi Veliaj.