Aktualitet

Para hetuesve, Fation Bushgjokaj mohoi vrasjen e Renis Dobrës!

Fation Bushgjokaj, njëri prej tre vëllezërve të arrestuar për vrasjen e Renis Dobrës në Mat dha dëshminë para grupit hetimor. Ai pranoi se me 23-vjeçarin ishin njohur në Gjermani dhe se kanë qenë përfshirë në trafik të lëndëve narkotike. Por, mohoi vrasjen e të riut, duke pretenduar se nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen. Në anën tjetër, pranoi konfliktet dhe sherret që kanë pasur.

Ndërkaq, Petrit Çakrri pranoi pjesërisht faktin që ditën e ngjarjes ka qenë në zonën e krimit. Megjithatë, sipas tij, nuk e njihte personalisht viktimën dhe tha se nuk ka lidhje me ngjarjen e duke pretenduar se nuk e dinte se çfarë kishte ndodhur.

Sipas Çakrrit, të vetmin prej vëllezërve që njihte ishte Kristi Bushgjokaj, i cili vijon të jetë në kërkim nga policia. I arrestuari Çakrri ka treguar se me Kristin është njohur në burg.

Ai ka treguar se me vëllezërit Bushgjokaj u takua pasi ata i kishin thënë se do të dilnin në zonë për të gjetur një sasi droge nëpër fshatra.

Rrugës, jemi ndarë në dy makina.

Më tej, vijoi të tregojë dinamikën e lëvizjes, e cila përputhet me pamjet e kamerave që ka vëzhguar policia. Megjithatë, mohoi të jetë përfshirë në krim, duke deklaruar se nuk e di çfarë ka ndodhur me Dobrën.

Në një moment, sipas Çakrrit vëllezërit hipën në një tjetër makinë, që referuar grupit hetimor mendohet të jetë makina e 23-vjeçarit. Më pas, mua më thanë “ik tani”, tregoi Çakrri ndër të tjera. Në lidhje me atë se çfarë kishte ndodhur me 23-vjeçarin, rrëfeu se e mori vesh nga raportimet në media.