Vijon aksioni për disiplinimin e trafikut dhe spostimin e automjete të parkuara në mënyrë të gabuar në Tiranë. Pas një fushate të pak ditëve më parë, Policia e kryeqytetit ka hequr me karrotrec 17 automjete të parkuara në mënyrë të gabuar, që kishin bllokuar lëvizjen në zonat e ish-parkut të autobusave dhe “21 Dhjetorit”.
Drejtuesit e automjeteve janë gjobitur me 3000 lekë.
Njoftimi i policisë:
Pas denoncimeve të qytetarëve, se automjete të parkuara në mënyrë të gabuar, kishin penguar lëvizjen e tyre dhe të mjeteve në këto dy zona, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 kanë shkuar në terren, për të verifikuar secilin rast.
LEXO EDHE: Pengonin trafikun në kryeqytet, Rrugorja ‘ngre në ajër’ me vinç dhe bllokon 65 makina
Në vijim të veprimeve procedurale, janë spostuar me mjet ngritës, automjete, të cilat janë transportuar në ambientet e këtij komisariati. Për secilin rast shërbimet e Policisë
Rrugore kryen verifikimet dhe ndëshkuan drejtuesit e automjeteve, me nga 3000 lekë masë administrative.
Kontrollet për këtë paligjshmëri, por dhe për paligjshmëri të tjera në fushën e qarkullimit rrugor, vijojnë në të gjithë territorin e kryeqytetit.
Policia Rrugore e Tiranës apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve, që të mos parkojnë në vende ku bllokojnë lëvizjen e qytetarëve apo mjeteve të tjera. Gjithashtu, apelon për qytetarët që të denoncojnë çdo rast të tillë, pasi reagimi i Policisë do të jetë i shpejtë dhe konform ligjit.