Pas 40 vitesh konflikt kundër shtetit turk, grupi militant Partia Popullore e Kurdistanit (PKK) do të mbajë sot një ceremoni për të shënuar hapin e parë drejt dorëzimit të armëve. Procesi i çarmatimit do të nisë nën masa të rrepta të sigurisë dhe pritet të zgjasë gjithë verën.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan e ka përshëndetur këtë veprim duke e përshkruar si “shkatërrim total dhe hedhje tej të prangave të përgjakshme që iu vunë këmbëve të vendit”.
Rreth 40 mijë njerëz janë vrarë prej nisjes së konfliktit, ndërsa PKK-ja konsiderohet “grup terrorist” në Turqi, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Mbretërinë e Bashkuar, si dhe në Bashkimin Europian. Çarmatimi i tij do të ketë ndikim jo vetëm në Turqi, por edhe në Irak, Siri e Iran.
Një grup i vogël i anëtarëve të PKK-së do t’i dorëzojë simbolikisht armët në rajonin irakian të Kurdistanit, për t’u kthyer më pas në bazë.
Përmes një videoje, lideri i burgosur i PKK-së, Abdullah Ocalan, u shpreh:
Ky ishte tranzicion vullnetar nga faza e konfliktit të armatosur në fazën e politikës demokratike dhe të ligjit.
Ocalan është mbajtur në qeli, në një burg në ishullin e vogël Imrali, në jugperëndim të Stambollit, prej vitit 1999. Kjo nuk është tentativa e parë për paqe mes Turqisë dhe këtij grupi, por ky veprim konsiderohet “shpresa më e madhe që grupi i armatosur prej vitit 1984, t’i japë fund kësaj qasjeje”.
Fillimisht si grup marksist, PKK-ja i ka kapur armët në duar me thirrjet për shtet të pavarur brenda Turqisë. Në vitet ’90, kërkuan më shumë autonomi për kurdët, të cilët përbëjnë 20% të popullsisë.