Bota

Presidenti turk Erdogan përshëndet shpërbërjen e PKK-së kurde!

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi se vendimi për t’u shpërbërë i grupit militant, Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) ishte një hap i rëndësishëm “për ruajtjen e paqes dhe vëllazërisë” dhe shtoi se Ankaraja do ta ndjekë nga afër këtë proces, për të shmangur çdo problem. PKK-ja që ka qenë në konflikt me shtetin turk për më shumë se katër dekada, vendosi të shpërbëhet e t’i japë fund kryengritjes së armatosur. Vendimi pritet të ketë pasoja të gjera politike e të sigurisë për rajonin, përfshirë për Sirinë fqinje, ku forcat kurde janë aleate të atyre amerikane.

Pas mbledhjes së kabinetit në Ankara, Erdogan tha se do të hapen dyert e një epoke të re, sapo PKK-ja të dorëzojë armët, duke e quajtur këtë një hap të rëndësishëm drejt synimit të Turqisë për një vend të lirë nga terrorizmi.

Turqia e sheh këtë hap si një proces që përfshin edhe militantët kurdë në Irak, Siri e Europë.

PKK-ja, e cila është shpallur “organizatë terroriste” nga Turqia, Shtetet e Bashkuara e Bashkimi Europian, e nisi kryengritjen e saj në vitin 1984 me synimin fillestar për krijimin e një shteti të pavarur kurd. Vitet e fundit, kërkesat i ka zhvendosur drejt autonomisë më të madhe e të drejtave për kurdët brenda Turqisë. Mbi 40 mijë njerëz janë vrarë gjatë konfliktit që nga viti 1984 kur PKK-ja filloi kryengritjen.

PKK-ja deklaroi se procesi praktik i shpërbërjes dhe çarmatosjes do të menaxhohet e mbikëqyret nga Öcalan, i cili ndodhet në burgim në një ishull pranë Stambollit që nga viti 1999.

Wladimir van Wilgenburg, analist politik i specializuar për çështjet kurde, i tha Radios Evropa e Lirë se komuniteti kurd në Turqi “u lodh nga konflikti dhe po shpreson për paqe”. Por, shtoi se kurdët nuk janë të sigurt nëse mund t’i besojnë qeverisë turke dhe pyesin në rast se Ankaraja do të ndërmarrë hapa drejt pajtimit, si lirimi i politikanit kurd, Selahattin Demirtash dhe njohja e të drejtave të kurdëve.

Pra, ata janë disi mosbesues e të pasigurt për atë që mund të ndodhë.

Sipas deklaratës së Kongresit, lufta e PKK-së “e ka sjellë çështjen kurde në pikën e zgjidhjes përmes politikës demokratike, duke përmbushur kështu misionin e saj historik”. Grupi nuk dha detaje të mëtejshme se çfarë nënkuptohet saktësisht me këtë, por van Wilgenburg vlerësoi se nuk është e mundur që komandantët e PKK-së të përfshihen në politikën turke, duke qenë se tashmë ekziston një parti pro-kurde aktive në Turqi, Partia Demokratike Popullore (HDP).

Më së shumti ka gjasa që ata nënkuptojnë se nga tani, politika kurde do të zhvillohet përmes politikës ligjore dhe Parlamentit të Turqisë, jo përmes luftës guerile.