Rajoni

Partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut përplasen për gjuhët, BDI: Po nëpërkëmbet shqipja…

Përdorimi i gjuhës shqipe në institucionet shtetërore dhe një dokument i vitit 2010 për gjuhën serbe në Kumanovë janë kthyer në mollë sherri mes Bashkimit Demokratik për Integrim dhe koalicionit VLEN.

Debati nisi pasi BDI akuzoi qeverinë për moszbatim të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, duke marrë si shembull një aktivitet të ministrit të Shëndetësisë, Azir Aliu, ku sipas opozitës shqiptare një mbishkrim në Institutin e Shëndetit Publik ishte vendosur vetëm në gjuhën maqedonase.

Sipas BDI-së, ky rast tregon se gjuha shqipe po degradohet në institucionet shtetërore.

“Rasti i djeshëm, ku ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, promovoi një mbishkrim në kuadër të një departamenti të Institutit për Shëndet Publik vetëm në gjuhën maqedonase, është dëshmi e qartë e nëpërkëmbjes së gjuhës shqipe dhe e shkeljes me të dyja këmbët të ligjit në fuqi. Për ironi, në të njëjtin institucion, gjatë kohës së qeverisjes së Bashkimit Demokratik për Integrim, mbishkrimet ishin vendosur në dy gjuhë, në përputhje me ligjin dhe me frymën e barazisë institucionale”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Partia e Ali Ahmetit publikoi edhe fotografi krahasuese, duke pretenduar se ato tregojnë ndryshimin mes periudhës kur ishte në pushtet dhe situatës aktuale.

Më tej, BDI akuzoi përfaqësuesit shqiptarë në qeveri për heshtje ndaj, sipas saj, shkeljeve të ligjit.

“Ligji për përdorimin e gjuhëve është i qartë dhe detyrues: mbishkrimet në institucionet publike duhet të jenë edhe në gjuhën shqipe. Prandaj pyesim publikisht: çfarë duhet të ndodhë më shumë që vazalët shqiptarë në Qeveri të ndalojnë duartrokitjet dhe të reagojnë?”, deklaroi BDI.
Por VLEN iu kundërpërgjigj duke rikthyer në vëmendje një dokument që e publikoi një ditë më parë dhe që sipas koalicionit dëshmon se pikërisht BDI-ja ka votuar në vitin 2010 për futjen e gjuhës serbe në përdorim zyrtar në Komunën e Kumanovës.

Sipas VLEN-it, fakti që BDI nuk ka reaguar ndaj këtij dokumenti është një pranim i heshtur i përgjegjësisë.

“Kanë kaluar 24 orë nga publikimi i dokumentit që dëshmon se pikërisht BDI-ja, në vitin 2010, kur ishte në kulmin e pushtetit, votoi për futjen e gjuhës serbe në përdorim zyrtar në Komunën e Kumanovës. Deri më tani, BDI nuk ka dhënë asnjë përgjigje për këtë fakt. Nuk e mohuan dokumentin. Nuk e mohuan vendimin. Nuk e mohuan votën e tyre. Zgjodhën heshtjen”, deklaroi Afan Elezi nga VLEN.
Ai shtroi publikisht pyetjen se përse BDI mbështeti zyrtarizimin e gjuhës serbe në Kumanovë, ndërsa sot akuzon kundërshtarët politikë për çështjet që lidhen me përdorimin e gjuhës shqipe.

“Pse BDI e mbështeti zyrtarizimin e gjuhës serbe në Kumanovë? Pse për këtë çështje kishte zell, votë e vullnet, ndërsa për hallet e shqiptarëve kishte vonesa e pengesa?”, tha Elezi.