Trajneri i Partizanit, Oltijon Kërnaja, ka theksuar se fitorja e skuadrës së tij ndaj Flamurtarit ishte më e vështirë për shkak të ndryshimeve të shumta në radhët e ekipit.
“I kam premtuar tre fitoret dhe me këto çuna i mbajmë premtimet, deri tani i kemi mbajtur. Sot ishte e vështirë, mos harrojmë që kishim tre zëvendësime të detyruara në formacion. Jata është 19-vjeçar që ka luajtur jashtëzakonisht mirë sot, ka një ndeshje në maj ndaj Dinamos dhe sot ndeshje të rëndësishme. Mos harrojmë Janjevën i cili u sëmur mbrëmë dhe u desh të futnim Sembene pa ritëm se vjen pas 5 javësh pushim, Mos harrojmë Shanajn që ka luajtur mirë, vinte pas një viti për herë të parë si titullar, ndaj ishte e vështirë. Por çunat e morën veten dhe ia arritëm të gjenim fitoren. Goli erdhi nga një penallti që duhet të shihet, në një goditje këndi nuk ishte goditur ende topi, nuk është se erdhi nga aksioni i Flamurtarit, përveç aksioneve të minutave të parë. Në pjesën tjetër ishim në kontroll, ku do ishim në bllok të mesëm. Ne ndryshonim gjatë lojës, jam i kënaqur me djemtë që hynë se treguan që janë të gatshëm, edhe pse kishin pak minuta. Ju e dini që kur nuk ke 90 minuta në këmbë, është e vështirë”, – tha Kërnaja.
LEXO EDHE: Gvozdenoviç: Fitorja me Vorën? Ndoshta sinjal që është viti jonë!
Trajneri i Flamurtarit, Françesko Moriero, deklaroi pas humbjes ndaj Partizanit se ekipi meritonte më shumë.
“I shqetësuar është normale të jem, sepse po nuk ia dole të fitosh ndeshje të tilla, është normale të jesh i tillë. Por jemi gjallë, ekipi është i gjallë, klasifikimi është i ngjeshur dhe duhet të ecim para dhe të punojmë. Zbritëm në fushë për të fituar, kishim 4-5 raste në 10 minutat e para. Të bujshme. Por siç ndodh shpesh, me gabimin e parë pësojmë gol. Skuadra reagoi, ishte në fushë, e përqendruar, lojtarët ishin të aftë të barazonin, krijuam raste të tjera. Pastaj episodi i penalltisë na preu këmbët”.