Pas daljes nga SPAK-u, ku sot ishte në zbatim të detyrimit për paraqitje, lidhur me dosjen “Partizani”, Sali Berisha foli për gazetarët duke denoncuar Altin Dumanin e Edi Ramën. Për kryeministrin, kryetari demokrat pretendoi se “legalizoi vilën trekatëshe pa leje të Dumanit, për ta marrë peng atë”.
“Kreu i SKAP-it, delinkuenti Dumani, legalizon vilën e ndërtuar pa leje trekatëshe pas 15 vitesh, për t’u marrë peng nga Edi Rama dhe nuk pëson asgjë”, u shpreh Berisha. Sipas tij, “Dumani lau paratë në vilën që e shpalli si faltore” e shtoi se “duhet të largohet menjëherë nga detyra”.
Unë flas me dokumente. Fjalët i merr era, dokumentet janë ato që mbeten. Mos harroni se ky njeri, në zbatim të porosive të Edi Ramës, ndërmori atakun më të rëndë kundër pluralizmit politik në Shqipëri. Ky njeri amnistoi dosjet.
Ky njeri prishi hetimin e inceneratorit duke kërkuar arrestimin e Arben Ahmetajt, i vetmi në Shqipëri që vetëm për atë problem nuk mund të shpallej i arrestuar sepse e kishte kundërshtuar pesë herë.
Ja ky njeri që zbatonte urdhrat e Edi Ramës është vetë delinkuent, një mashtrues. Ky njeri ka larë para me vilën dhe e paraqet vilën të ndërtuar para fejesës, para shndërrimit të tij në dhëndër.
Ndaj dhe t’i kërkojmë këtij largimin e menjëhershëm nga detyra. Prandaj ky njeri mbron Irenën me 5 mbiemra, se është vetë një Irenë, se është vetë një delinkuent, se është vetë një mashtrues, se është vetë një parelarës.
Këto janë të vërtetat.
Dokumentet, harta kadastrale, legalizimi faktojnë se në vitin 2004 ka qenë tokë arë, nuk ka qenë as kishë, as teqe, as xhami. Pra, këta që betohen dhe shkon e predikon ky mashtrues, na predikon, na thotë se ishte faltore.
Shpall faltore ku ka larë paratë e krimit të vet. Të gjitha këto janë dëshmi se çfarë përfaqëson ai. Ndaj dhe ai duhet të largohet menjëherë nga detyrë bashkë me Irena Manekun, të kenë fatin e njëri-tjetrit.
Duke cituar dokumente zyrtare, Sali Berisha tha se nxjerrin në pah katër momente:
Një, mashtrimin e madh të Altin Dumanit. Dy, larjen e parave në vilën e tij. Tre, shkeljen e ligjeve, ndërtimin pa leje dhe legalizimin në vitin 2016. Katër, tërheqjen si mafie të deklaratës nga dosja e veting-ut.
Thotë, vila është banuar në vitin 2000 dhe Altini në media ka deklaruar se është përdorur si faltore, në një kohë kur, në një kohë kur ajo s’ekzistonte, ekzistonte tokë arë. Unë besoj se me dokumente origjinale, me vulë dhe firmë, po bëhet një kontribut i jashtëzakonshëm në zbardhjen e të vërtetave për një njeri që ka kryesuar institucionin më të rëndësishëm të akuzës dhe që e meriton të jetë sot në bankën e akuzës.