Kjo e shtunë solli rezultate interesante në Superiore, teksa janë luajtur 2 nga ndeshjet e javës së 16-të. Në “Elbasan Arena”, Elbasani triumfoi 0-1 Vorës (Me marrëveshje Vora luajti si pritëse në fushë kundërshtare, teksa pret të përfundojnë punimet në stadiumin e saj). Kryesuesit e Superiores ishin më insistues në fushë, por hasën vështirësi në finalizim. Goli i fitores për verdheblutë erdhi vetëm në fund nga Ze Gomesh, i cili me një goditje të bukur i dhuroi 3 pikë skuadrës.
Verdheblutë hakmerren ndaj skuadrës së Bellajt për humbjen në fazën e parë. Gjatë ndeshjes nuk pati shumë raste nga skuadrat, edhe pse të dyja luftuan për golin e avantazhit. Me këtë fitore skuadra e Gvozdenoviçit mbron kreun duke u renditur me 32 pikë.
VORA 0-1 ELBASANI
90’+4′ Ze Gomesh
Partizani mori fitoren e tretë radhazi duke konsoliduar vendin e gjashtë. Të kuqtë mundën 2-1 Flamurtarin dhe tashmë shohin nga pjesa e sipërme e tabelës, ku synimi mbeten vendet e para. Krizë e vlonjatëve.
Miqtë kërkuan më shumë golin në start dhe humbën raste të arta, por ishte Partizani që gjeti avantazhin me Isgandarli për të mbyllur përpara pjesën e parë të ndeshjes.
Ritmi ishte më i ulët në të dytën sa i përket rasteve para portës dhe për të tundur rrjetën u desh ndërhyrja e VAR-it, me gjyqtarin Grimci i cili akordoi penallti në favor të vlonjatëve. Ata barazuan me Markun, por pak minuta më vonë, skena u përsërit, këtë herë në favor të skuadrës tjetër, me kryesorin që anashkaloi një kontakt në zonë e VAR-in që e korrigjoi, duke u dhënë një penallti për vendasit.
Skuka nuk gaboi dhe sigloi suksesin 2-1 të Partizanit, që sheh mëse konkrete mundësinë e katërshes së parë, ndërsa Flamurtari mbetet i zhytur në zonën e ftohtë të klasifikimit, duke rrezikuar mbijetesën në elitë.
PARTIZANI-FLAMURTARI 2-1
33′ Isgandarli, 85′ (p) Skuka / 70′ (p) H. Marku
Po sot, Teuta pret Tiranën e vendit të fundit, në takimin që do të luhet në orën 19:30.
Nesër, Vllaznia pret Bylisin në orën 16:30, ndërsa në ndeshjen përmbyllëse të javës, Dinamo luan kundër Egnatias në orën 19:00 në “Air Albania”.