Ndërsa vijon numërimi i votave për zgjedhjet vendore të një dite më parë, deri tani janë 19 bashki ku ka përfunduar ky proces. Eshtë fjala për Librazhin, Cërrikun, Peqinin, Klosin, Kolonjën, Delvinën, Selenicën, Pustecin, Pukën, Tropojën, Hasin, Dropullin, Roskovecin, Memaliajn, Këlcyrën e Libohovën, krahas Kamzës, Elbasanit e Vorës tre bashkitë ku fituesit u mësuan që mbrëmë çka u mundësua falë votimit e numërimit elektronik.
Bie në sy fakti se Sali Berisha u thye në vendlindje, pasi Tropoja u fitua nga kandidati i Partisë Socialiste. Rexh Byberi mori 5 mijë e 126 vota kundrejt 4 mijë e 876 të rivalit Besnik Dushaj i Koalicionit “Bashkë Fitojmë”.
Harta elektorale sa vjen e bëhet rozë, pasi me përjashtim të Pukës, Hasit e Memaliajt ku fituan kandidatët e “Bashkë Fitojmë”, në 16 të tjerat fitues janë kandidatët e Partisë Socialiste.
Po ashtu, theksohet se janë 42 bashki ku vijon numërimi, në shumicën e tyre kryesojnë emrat e kandiduar nga PS-ja. Në bashki të mëdha si Tirana e Durrësi kryesojnë bindshëm Erion Veliaj, i cili po shkon drejt një mandati të tretë dhe Emiriana Sako, e cila gjithashtu synon një tjetër mandat në krye të Bashkisë Durrës. Surprizon Shkodra, Benet Beci i PS-së kryeson ndaj kryebashkiakut aktual, Bardh Spahia i “Bashkë Fitojmë”, i cili u zgjodh vitin e kaluar, në vendoret e pjesshme të 6 marsit 2022.