Rajoni

Përgjaken rrugët e Athinës; 3 shqiptarë viktima, 2 prej tyre me precedentë për drogë! 2 efektivë të plagosur

3 persona mbetën të vdekur dhe 3 të tjerë u plagosën, dy prej të cilëve efektivë policie, në dy përleshje me armë zjarri në Kato Patisia dhe Agioi Anargyrou, që dyshohet se kishte protagonistë shqiptarët. Dy ngjarjet e përgjakshme ishin të lidhura me njëra-tjetrën.

Episodi i parë ndodhi pas orës 21:30, në kryqëzimin e rrugëve Georgiou Nazou dhe Kourtidou, në Kato Patisia, ku ka pasur një sherr mes shtatë personave, ndërsa arsyet e përplasjes mes tyre nuk dihet.

Shoferi i një makine ‘Mercedes-Benz’, që dyshohet se ishte shqiptar, ka qëlluar me armë zjarri pas një përplasje mes tyre, një motoçiklist duke e plagosur rëndë.

Sipas asaj që raportojnë mediat greke, motoçikletën po e ndiqte babai i të plagosurit, i cili ishte me një makinë tip ‘Audi’, në të cilën po udhëtonin edhe dy persona të tjerë. Babai, në shenjë hakmarrje, ka qëlluar autorin e plagosjes së të birit duke e lënë të vdekur.

Nga mjeti “Audi” ka dalë pasagjeri dhe në tentativë për t’u larguar me vrap për t’u fshehur është goditur nga një automjet në lëvizje duke mbetur i plagosur, por që më pas ka ndërruar jetë në spital. Sipas mjekëve kishte marrë edhe plagë me armë zjarri.

Një tjetër person ndërkohë ka dalë nga automjeti tip “Mercedes-Benz” dhe për t’i shpëtuar përplasjes së përgjakshme, me kërcënimin e një arme ka ndaluar një mjet në rrugë duke e grabitur e më pas ka ikur me të. Ai është drejtuar për në lagjen “Agion Anargiron” ku burimet flasin se ka tentuar të grabisë një karburant dhe një market.

Më pas ka dalë në rrugë dhe ka ndaluar një patrullë policie duke e menduar për taxi. Sapo ka parë policët ka hapur zjarr ndaj tyre duke i plagosur, ndërkohë që edhe policët janë kundërpergjigjur duke e vrarë shqiptarin.

Mësohet se dy shqiptarët e vrarë, të cilët rezultojnë shokë me njeri tjetrin pasi të dy ndodheshin në automjetin “Mercedes-Benz” dhe rezultojnë të arrestuar për çështje droge në maj të vitit të kaluar në Athinë.