Duket se për Francën është bërë e zakonshme të ngatërrohet himni i kombëtareve përfaqësuese. Hera e parë i ndodhi Shqipërisë në shtator të vitit 2019. Në vend të himnit tonë, u dëgjua ai i Armenisë, ndërsa këtë herë ishte Finlanda ajo që dëgjoi himnin shqiptar në vend të saj.
Në takimin mes skuadrës franceze dhe Finlandës, në ‘Le Havre’, nga qendra e zërit u dëgjua himni kombëtar i Shqipërisë dhe jo ai i Finlandës. Lojtaret reaguan duke qeshur, sapo e kuptuan që ai nuk ishte himni i tyre, megjithatë pritën deri në fund me shpresën se mund të dëgjohej edhe himni i tyre. Por nuk ndodhi. Edhe përfaqësuesit e Finlandës në stol, anëtarët e stafit teknik, nuk protestuan për këtë ngatërresë, por qëndruan në pritje të himnit të shtetit të tyre.
Himni i shqiptar u dëgjua deri në fund, madje edhe u duartrokit nga publiku, i cili, me siguri, nuk e kuptoi ngatërresën. Federata Franceze, në fakt, kërkoi ndjesë për gabimin, por 3 vjet më parë gjoba për Federatën për gabimin ndaj Shqipërisë ishte 20 mijë euro.