Sport

Pësoi katër gola por bëri edhe superpritje, Di Gregorio: Treguam se Juventus nuk dorëzohet

Pësoi 4 gola ndaj Interit, por gjithashtu bëri disa pritje të rëndësishme që nuk e lejuan skuadrën e Inzagit që të mbyllte ndeshjen, duke i dhënë mundësinë Juventusit më pas që të barazonte gjithçka.

Mikele Di Gregorio nuk është aspak i lumtur për paraqitjen e tij pas këtij derbi special, por pika e fituar e ngushëllon. “Deri në fund është motoja jonë dhe sot e treguam këtë gjë. Ju kisha thënë se do të ishte një ndeshje e bukur dhe kështu rezultoi. Jam i lumtur për reagimin e skuadrës. Dhamë një sinjal të fortë se mund të rikthehemi në lojë. U pa forca jonë si skuadër dhe kemi treguar se nuk dorëzohemi kurrë.

Treguam dhe njëherë se mund të reagojmë si duhet. Jildiz na dha një dorë më shumë dhe jam shumë i lumtur për të. Ai është një lojtar i fortë dhe duhet ta “përkëdhelim” pak. Megjithatë, tashmë duhet të shohim ndeshje pas ndeshje dhe me kalimin e kohës do të shohim se ku jemi”, tha ndër të tjera portieri i Juventusit Mikele Di Gregorio.