Aktualitet

Plumba dhe dëmtime me mjete të forta, dy të plagosur në Belsh e Bulqizë

Një person mbeti i plagosur në Belsh, pas sherrit për një koshere bletësh. Adriatik Kasa 43-vjeç, u qëllua me armë zjarri pistoletë, nga fqinji i tij, i moshës 24-vjeç, i cili u shpall në kërkim. I lënduari mori një plumb në këmbë dhe u dërgua në spital. Ndërkaq, policia vazhdon punën për kapjen e autorit të dyshuar.

Një i ri u gjet sot në gjendje të rëndë, para portës së Spitalit të Bulqizës. I plagosuri, i identifikuar si shtetasi Shkëlqim Spahiu, 20-vjeç u vu re nga një banor që kishte shkuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Për shkak të dëmtimeve të shumta në kokë e në trup, i riu u soll me helikopter në Tiranë, për mjekim më të specializuar. Uniformat blu nisën hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.