Aktualitet

Politika uron besimtarët për Kurban Bajram!

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj sot uroi të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit. Në një mesazh në rrjetet sociale shkroi:

Kurban Bajrami është dita në të cilën besimtarët myslimanë afrohen më pranë Zotit, është festa e ngadhënjimit të sakrificës së sinqertë dhe besimit në Zot.

Kurban Bajrami është dëshmi e pashtershme sesi sakrifica, durimi dhe dashuria i japin njerëzve paqen e tyre të brendshme dhe mposhtin egoizmin, urrejtjen dhe pangopësinë.

Uroj nga zemra të gjithë besimtarët myslimanë dhe të gjithë shqiptarët për më shumë mirësi dhe gëzime në familjet e tyre! Gëzuar Kurban Bajramin dhe qofshi në mbrojtjen e Zotit!

Urimin e Kurban Bajramit e dha edhe kryeministri Edi Rama:

Gëzuar Kurban Bajramin!

Besimtarët myslimanë sot po festojnë Kurban Bajramin, një nga dy festat më të rëndësishme në kalendarin islam. Në Tiranë, me mijëra prej tyre u mblodhën në mëngjes në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Namazi u fal në mbarë vendin. Festa simbolizon sakrificën sublime të babait të profetëve, Ibrahimit a.s.

Në të gjithë vendin, besimtarët myslimanë e kanë nisur kremtimin e kësaj feste të shenjtë që në orët e para të mëngjesit duke iu drejtuar xhamive për të falur Namazin.

Kurbani është një festë në të cilën në çdo zemër e vatër duhet të hyjë gëzimi, dora e solidaritetit dhe përkrahjes. Eshtë festa e ngjalljes së shpresës dhe e optimizmit për të vazhduar me këmbëngulje besnikërinë ndaj Zotit të gjithësisë, se ai është Falës i Madh, Mëshirues i Pakufijshëm.

Me emrin e kësaj feste janë të lidhura ngjarje madhore që kanë ndryshuar rrjedhën e historisë, si: rindërtimi i Qabes, haxhi, emërtimi “mysliman”, etj.

Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu mbajti një fjalim e ndërsa uroi festën, theksoi rëndësinë e unitetit, dashurisë për njëri-tjetrin dhe ndihmës për ata në nevojë. Kleriku i lartë u shpreh se sot është një festë e dyfishtë, pasi Kurban Bajrami përkon me ditën e rëndësishme të xhumasë.

Si rrallëherë, sot bashkohet dita më e bukur e javës, e xhumasë, me ditën më të bukur të vitit, atë të Kurban Bajramit, një gëzim i dyfishtë.

Spahiu uroi paqe, begati e mirësi.