Aktualitet

Falet Kurban Bajrami, mijëra besimtarë në xhamitë dhe sheshet e vendit!

Besimtarët myslimanë sot festojnë Kurban Bajramin, një nga dy festat më të rëndësishme në kalendarin islam. Në Tiranë, me mijëra prej tyre u mblodhën në mëngjes në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Namazi u fal në mbarë vendin. Festa simbolizon sakrificën sublime të babait të profetëve, Ibrahimit a.s.

Në të gjithë vendin, besimtarët myslimanë e kanë nisur kremtimin e kësaj feste të shenjtë që në orët e para të mëngjesit duke iu drejtuar xhamive për të falur Namazin.

Kurbani është një festë në të cilën në çdo zemër e vatër duhet të hyjë gëzimi, dora e solidaritetit dhe përkrahjes. Eshtë festa e ngjalljes së shpresës dhe e optimizmit për të vazhduar me këmbëngulje besnikërinë ndaj Zotit të gjithësisë, se ai është Falës i Madh, Mëshirues i Pakufijshëm.

Me emrin e kësaj feste janë të lidhura ngjarje madhore që kanë ndryshuar rrjedhën e historisë, si: rindërtimi i Qabes, haxhi, emërtimi “mysliman”, etj.

Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu mbajti një fjalim e ndërsa uroi festën, theksoi rëndësinë e unitetit, dashurisë për njëri-tjetrin dhe ndihmës për ata në nevojë. Kleriku i lartë u shpreh se sot është një festë e dyfishtë, pasi Kurban Bajrami përkon me ditën e rëndësishme të xhumasë.

Si rrallëherë, sot bashkohet dita më e bukur e javës, e xhumasë, me ditën më të bukur të vitit, atë të Kurban Bajramit, një gëzim i dyfishtë.

Spahiu uroi paqe, begati e mirësi.

Kurbani paraqet materializimin e nijetit dhe të gatishmërisë, që në emër të Allahut të flijohet. Përveç aspektit shpirtëror të kurbanit është i rëndësishëm edhe aspekti social i tij, ndihma për atë që nuk ka, në mënyrë që të gjithë së bashku të festojnë këtë festë islame.

Sipas fesë myslimane, riti i faljes së Bajramit të Madh konsiston në dy momente: lutja nëpërmjet të cilës shprehet adhurimi për Zotin dhe më pas vjen predikimi. Për këtë ditë të shënuar theret një dash apo një dele e rritur, që i dedikohet Zotit. Mishi ndahet mes pjesëtarëve të familjes, mes miqve dhe i dhurohet të varfërve.

Pritjet tradicionale me rastin e festës së Kurban Bajramit zhvillohen në selinë e KMSH-së nga ora 09:00 deri në orën 12:00. Në kalendarin islam, Kurban Bajrami bie në ditën e 10-të të muajit Dhulhixhxhe dhe zgjat për tri ditë.