Aktualitet

Presidenti Begaj uron Nicusor Dan-in për fitoren në zgjedhjet presidenciale në Rumani!

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, uroi Nicușor Dan-in, pas fitores në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Rumani, të mbajtura një ditë më parë. Dan triumfoi ndaj kandidatit rival George Simion.

Në një postim në rrjetin social Facebook, presidenti Begaj thekson rëndësinë e marrëdhënieve të mira mes dy vendeve dhe gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejshëm.

Urime Nicușor Dan për zgjedhjen si President i Rumanisë! Shqipëria dhe Rumania gëzojnë marrëdhënie shumë të mira dhe miqësore. Pres me kënaqësi të punojmë së bashku për forcimin e mëtejshëm të tyre në dobi të popujve tanë miq.

Kryebashkiaku i Bukureshtit, Nicusor Dan, fitoi në balotazhin presidencial kundër kandidatit ultranacionalist, George Simion. Ky rezultat shihet si shprehje e vullnetit të qytetarëve që Rumania të qëndrojë në rrugën pro-perëndimore. Me 100% të votave të numëruara në orët e para të ditës, Dan mori mbi 53.6 dhe Simion 46.4%, sipas Komisionit Zgjedhor.

Eshtë fitorja e juaj, tha Dan në një fjalim drejtuar mbështetësve. Eshtë fitorja e mijëra e mijëra njerëzve që bënë fushatë, që besuan se Rumania mund të ndryshojë. Mos e harroni këtë forcë, sepse ende kemi punë për të bërë.

Pasi fillimisht pretendoi fitoren, Simion e pranoi humbjen, duke zbutur frikën për një përplasje të mundshme.

Jam krenar për ju dhe e përgëzoj kundërshtarin tim për fitoren. Nicusor Dan i fitoi zgjedhjet dhe ky ishte vullneti i popullit rumun.

Pjesëmarrja ishte rekord, me mbi 64% apo rreth 11.6 milion rumunë nga vendi dhe Diaspora që dolën për të votuar, mbi 2 milion më shumë se në raundin e parë e më tepër se në votimin fillestar të nëntorit të kaluar, i cili u anulua mes akuzave për ndërhyrje ruse në fushatë.

Simion hyri në garë si zëvendësues për Calin Georgescun, të cilit nuk iu lejua të kandidojë pasi fitoi raundin e parë të votimeve në nëntor. 38 vjeçari, i cili kundërshton ndihmën ushtarake për Ukrainën fqinje e është kritik ndaj udhëheqjes së Bashkimit Europian, priu bindshëm në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, duke shkaktuar rrëzimin e një qeverie koalicioni pro-perëndimore.

Ai ndërtoi mbi suksesin e Georgescut, pasi mori rreth 41% të mbështetjes në raundin e parë të votimeve, më 4 maj. Dan ishte shumë prapa, me pothuajse 21%. Në shumicën e sondazheve të realizuara nga ajo kohë, Simion kishte qenë përpara, megjithëse anketimet më të fundit i paraqitnin kandidatët si më të barabartë.

Simion, lideri i partisë AUR, hodhi poshtë shifrat e exit poll-eve, duke thënë se të dhënat e tij tregonin se i kishte fituar votat me rreth 400 mijë më shumë.