Bota

Sulmi me dron rus, presidenti i Rumanisë mbledh Këshillin e Mbrojtjes!

Presidenti i Rumanisë, Nicusor Dan, thirri një mbledhje urgjente të Këshillit të Mbrojtjes pas sulmit me dron rus pranë qytetit Galaçi, me dy të plagosur. Në një deklaratë publike, kreu i shtetit rumun theksoi se ngjarja përbën një situatë të paprecedentë dhe kërkon një reagim të koordinuar në nivel ndërkombëtar.

Natyra e paprecedentë e ngjarjes kërkon një përgjigje të vendosur, të koordinuar dhe të përshtatshme  në nivel kombëtar, aleat dhe ndërkombëtar.

Presidenti rumun fajësoi drejtpërdrejt Rusinë, duke e cilësuar sulmin, “pasojë të drejtpërdrejtë të luftës në Ukrainë dhe mënyrës së operimit të forcave ruse pranë kufijve të NATO-s”.

Deklaroj me vendosmërinë më të madhe se përgjegjësia e plotë për këtë incident i takon Federatës Ruse. Ajo që ndodhi sot në Galaçi është pasojë e drejtpërdrejtë e luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.

Sipas presidentit, Moska po përdor sistemet e saj të armëve në mënyrë të papërgjegjshme dhe pa dallim në afërsi të territorit të NATO-s, duke shpërfillur sistematikisht të drejtën ndërkombëtare.

Nuk ka asnjë paqartësi në lidhje me autorin ose shkakun e këtij agresioni.

Dan bëri të ditur se forcat e armatosura rumune kanë vepruar në përputhje me procedurat ushtarake, por autoritetet vendosën “të mos angazhohen me objektivin” gjatë incidentit.